Aleatët evropianë kanë dalë sërish në mbështetje të Ukrainës, duke insistuar se çfarëdo diskutimi për paqe me Rusinë, duhet patjetër ta përfshijë Kievin.
“Rruga për paqe në Ukrainë, nuk mund të vendoset pa Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe Komisionit Evropian.
Deklarata e tyre vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për takim me homologun rus, Vladimir Putin në Alaskë të premten që po vjen, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
I shqetësuar se nuk do të ftohet në takime për paqe në shtetin e tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se çfarëdo marrëveshje pa Kievin do të nënkuptonte “vendime të vdekura”.
Të shtunën vonë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Trumpi është i hapur për takim trilateral, por tash për tash mbetet vetëm me Putinin, si kërkesë e liderit rus.
Trump më herët qe shprehur se do të takohej vetëm me Putinin sepse “planifikon t’ia nisë me Rusinë”. Por ai pati dhënë shpresa për takim tripalësh.
Duke folur të premten, vetë Trumpi sugjeroi se mund të ketë “shkëmbime territoresh” për të arritur paqen Moskë-Kiev, por kjo u refuzua fuqishëm nga Zelensky.