Botë

AfD-ja planifikon ta sfidojë vendimin që e shpall ekstremiste të djathtë

Alice Weidel dhe Tino Chrupalla

Foto: Associated Press

Liderët e Alternativës për Gjermaninë (AfD) kanë deklaruar se do të ndërmarrin veprime ligjore kundër klasifikimit të partisë si ekstremiste nga Agjencia e inteligjencës, duke e përshkruar vendimin si një “goditje të madhe ndaj demokracisë në Gjermani”, ka raportuar “The Guardian”. 

“AfD-ja po diskreditohet publikisht dhe po kriminalizohet pak para ndryshimit të qeverisë”, thuhet në deklaratën e liderëve të partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. 

“Partia do të vazhdojë të mbrojë vetën ligjërisht kundër këtyre deklaratave shpifëse që rrezikojnë demokracinë”, shtuan ata. 

Gjatë ditës së sotme, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani, siç quhet agjencia e inteligjencës së brendshme e këtij vendi, ka njoftuar se ka vendosur ta shpallë partinë e djathtë “Alternative für Deutschland” (AfD) si një “organizatë të konfirmuar ekstremiste të djathtë”, si pasojë e parimeve të partisë kundër emigrantëve dhe refugjatëve.