BETIMI PËR DREJTËSI

Shfrytëzimi privat i parkingut institucional

“Betimi për Drejtësi” ju sjell hulumtimin për një abuzim të heshtur.

3 euro ora dhe 15 euro nata e parkingut të Ministrisë së Infrastrukturës, pas orarit të punës

Në zemër të Prishtinës, përballë një hoteli të frekuentuar dhe disa lokaleve të njohura, një parking i destinuar vetëm për zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, pas orarit të punës shndërrohet në një biznes të heshtur.

Duke përfituar nga mungesa e kontrollit dhe kërkesa e madhe për hapësirë parkimi, punëtorë të sigurimit, të kontraktuar për të ruajtur objektin, e kanë kthyer hapësirën zyrtare në biznes privat.

Në parkingun, që nuk ka as rampë automatike, veturat private futen një nga një pas orarit të punës në parkingun e ministrisë, por jo falas. Tre euro për një orë parkim, pesëmbëdhjetë euro për një natë.

Për të parë nga afër këtë situatë, ekipi hulumtues i “Betimit për Drejtësi”, konstatoi këtë veprim që ndodhte brenda hapësirës institucionale. Në një mbrëmje të së premtes, afër orës 21:00, ekipi i “Betimi për Drejtësi” hyn në parkingun e destinuar për zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës.

Punëtori, që qëndronte tek hyrja e parkingut, fillimisht pyet ekipin se sa do të qëndrojnë dhe pasi ekipi hulumtues thotë që rreth 2-3 orë, i njëjti lejon hyrjen dhe tregon vendin për të lënë veturën.

Pasi që ekipi bën parkimin e veturës brenda parkingut të Ministrisë së Infrastrukturës, një punëtor sigurimi tregon se si bëhet pagesa.

Punëtori: Kur të dilni e bëni pagesën.

BpD: A kur të dalim a, e nëse rrimë sepse po mendoj ndoshta rrimë tërë natën sonte?

Punëtori: E nëse rrini tërë natën kur të vini 15 euro.

BpD: 15 euro nata!

Punëtori: Deri në 8:00 n’mëngjes a n’9 a?

BpD: Pas 8 s’mundemi a?

Punëtori: Po deri në 9.

BpD: Po pasi edhe vikend.

Punëtori: Deri në 10 me ta lënë a bën?

BpD: Deri në 10 mjafton. E kështu më orë sa na kushton nëse kthehemi më herët sonte sepse nuk e di qysh na behën punët?

Punëtori: 2 euro.

Gjatë bisedës me këtë punëtor, ai merr pagesë prej 2 euro nga qytetarë që shfrytëzuan parkingun institucional.

Ndërsa, gjatë qëndrimit përreth hapësirave të këtij parkingu të destinuar vetëm për zyrtarë të ministrisë, ekipi i “Betimit për Drejtësi” pa vetura të shumta duke hyrë në këtë hapësirë, teksa pagesat në disa raste bëheshin aty për aty.

Ora kalonte, të rinjtë që frekuentonin lokalet afër, hynin në këtë parking me vetura pa asnjë hezitim. Numri tyre fillohet të shtohet aq shumë, sa që duhet orientimi nga punëtorët e sigurimit fizik.

Sidoqoftë, ekipi i “Betimit për Drejtësi”, rikthehet për të marrë veturën dhe për të pyetur nëse ekziston mundësia që parkimi të bëhet deri ditën e martë. Në pritje, tek hyrja e parkingut punëtori ishte ndërruar, por shërbimet mbeteshin të njëjtat.

Punëtori: Po, jo deri të hënën mundeni në mëngjes më shumë ss..

BpD: Të martën jo a?

Punëtori: Jo valla

BpD: Pse?

Punëtori: Jo se tani s’kemi vend

BpD: E sa është çmimi deri të hënën në mëngjes a?

Punëtori: Po 15 euro e kemi ne natën, tash sa netë të rrin shembull.

BpD: Të hënë duhet në mëngjes herët?

Punëtori: Po de, të hënën në mëngjes

BpD: A kishim mujtë deri kah 11 të hënën?

Punëtori: Jo vallai, jo s’mundeni

Pas bisedës, punëtori thotë se duhet të bëhet pagesa prej 3 euro dhe ekipi i “Betimit për Drejtësi” bën këtë pagesë për kohën rreth 1 orë sa qëndroi vetura në parkingun institucional.


Ministria dhe kompania: S’kemi qenë në dijeni për keqpërdorimin e parkingut institucional

Parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, i cili duhet të jetë në funksion të zyrtarëve të këtij dikasteri, po përdoret si burim fitimi nga disa punëtorë të sigurimit fizik, pas orarit të punës.

Por, si është i rregulluar angazhimi apo puna e këtyre punëtorëve në këtë hapësirë?

Kompania private që ka fituar kontratën për ofrimin e sigurimit fizik është MEB L.L.C, në pronësi të Uluaras Damka. Kontrata është nënshkruar më 21 gusht 2024, dhe përfundon më 23 shtator 2025.

Sipas dosjes së tenderit, operatori ekonomik ka përgjegjësi që, ndër të tjera, të të garantojë që rojet e sigurisë të kryejnë detyrën kryesore të mbrojtjes së punonjësve dhe pronës së Ministrisë së Infrastrukturës, në të dy lokacionet e kërkuara sipas tenderit.

Lidhur me punën e dyfishtë të rojeve të sigurisë, në emër të kompanisë për “Betimin për Drejtësi” ka dhënë versionin e tij Shefçet Damka, babai i Uluaruas Damka, i cili figuron si pronar i kompanisë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

Uluaras Damka, ka thënë se ka qenë jashtë shtetit, për këtë arsye është dhënë versioni nga babai tij dhe se për çështje të kompanisë e mëson ai.

“Ai më mëson mu se unë e kam një moshë 20-25 vjeçare dhe ai më tregon mu qysh shkojnë këto senet. Thjeshtë më mëson”, u shpreh Uluaras Damka.

Në anën tjetër, Shefçet Damka, thotë se nuk është në dijeni që punëtorët e kompanisë së tij shfrytëzojnë parkingun zyrtar, si parking privat.

“Unë për herë të parë jam duke dëgju nga ju, kur po thoni parking privat po shfrytëzohet. Unë vetëm mund të përgjigjem, si parking privat nuk kanë të drejtë asnjë punëtor të keqpërdorë pozitën e vet. Por, nëse ka përdorë, nëse keni fakte edhe mundeni me na tregu kur, cilën kohë, na e kemi evidencën e punëtorëve kush cili në kohë ka punuar, më tutje merret ligji, janë policia janë organet kompetente për këtë punë. Nëse ka shkel, ka bë ndonjë gabim kompanisë ose ka shkel ligjin ose ka bërë ndonjë përfitim pa autorizim ose pa diçka, atëherë janë ligjet në fuqi dhe ne lypim përgjegjësi prej tij edhe nëse neve nuk na jep një përgjigje për atë punë, atëherë janë organet tjera si policia, si gjykata si prokuroria, nëse ka bërë një gjë të tillë që një punëtorë i jonë”, tha Shefçet Damka.

Ndonëse Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është një Ministri e vetme, zyrtarët e saj  operojnë ndaras në objekte. Parkingu i këtij objekti që ndryshe quhet edhe ish-“Gërmia”, shfrytëzohet vetëm nga zyrtarët të cilët merren me çështjet e infrastrukturës. Ndërsa, pjesa tjetër janë të vendosur në objektin ish-“Rilindja”.

Megjithatë, Izedin Bytyqi, Sekretar i Përgjithshëm i këtij dikasteri, thotë se nuk ka qenë në dijeni që ndodhë një veprim i tillë  nga punëtorët e sigurimit fizik.

“Me të thënë të drejtën këtë informatë e kam marrë prej juve, për çka ju falënderoj që e keni shpërnda me neve. Menjëherë i kam kontaktu shefin e logjistikës së Ministrisë edhe menaxherin e kontratës dhe kemi lypë sqarime prej kompanisë pse ka ndodhë kjo, ata vetëm kishin qenë në dijeni që ka ndodhë edhe na ka njoftu që kanë marrë masa ndaj punëtorit të tyre edhe na kanë ofru dëshmitë që kanë marrë masa, një masë ke pezullim dhe ndalim në pagë edhe na kanë siguru që nuk ka me ndodhë në të ardhmen”, ka thënë Bytyqi.

Sipas Shefçet Damkës, monitorimi i punëtorëve nga menaxherë të kompanisë bëhet çdo dy –tre ditë, porse thotë se asnjëherë nuk është njoftuar nga të njëjtit për diçka të dyshimtë apo keqpërdorim të detyrës.

Shefçet Damka: S’kam ni, s’kam ni, s’kam ditë dhe s’ma ka marrë mendja, kemi monitoruar në kohë të ndryshme. Po, zyrtarisht monitorojmë me veturën e patrollës shkon dy-tre veta me vetura.

Gazetarja: Edhe nuk kanë arritë me pa?

Shefçet Damka: Jo jo, bën vaki ka vetë kush është, unë s’pe di. Patrollën duhet me pytë, mbikëqyrsat duhet me i vetë.

Gazetarja: A i keni pytë patrollën duke marrë parasysh që ne dje kemi bisedu?

Shefçet Damka: Sot kam pytë patrollën në mëngjes, menjëherë e kam pasë këtë fjalë në mëngjes. Ka gjasa, po thojnë ka gjasa që s’kena vërejtë na, nuk po dinë, nuk po thonë që jo. Unë ju thashë dëshmi kanë, mbasi kanë thirrë dëshmi kanë, diçka ka këtu. Kam qu patrollën prej mëngjesi janë aty duke u marrë.

Diçka të dyshimtë për shfrytëzimin e këtij parkingu, thotë të mos ketë parë edhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë.

“Me të thënë të drejtën shkoj, po zakonisht e përdori atë hyrjen kryesore, jo këta. Po qysh e përmenda, aty ka pasë edhe institucione të tjera, nuk është që kam pasë mundësi me vërejte tek puna e kerreve, kush cilat janë, të kujt janë”, tha Izedin Bytyqi.

Punëtori i sigurimit fizik thotë se ministri ka lejuar shfrytëzimin e parkingut, ministri Liburn Aliu e mohon

Emisioni hulumtues me titull “Shfrytëzimi privat i parkingut institucional”, ka shpërfaqur pamje dhe fakte, të cilat konfirmojnë se parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës pas orarit të punës, përdoret si privat apo me pagesë nga rojet e sigurimit fizik.

Ekipi hulumtues i “Betimit për Drejtësi”, këtë veprim e konstatoi edhe në një rast tjetër. Disa ditë pas herës së parë, dhe rreth një orë pas përfundimit të punës së zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, ekipi hyn lirshëm në këtë hapësirë, vetëm duke u përshëndetur nga larg me punëtorin e sigurimit fizik.

Gjatë bisedës me punëtorin teksa bëhet pagesa, ai pranon se parkingu është zyrtar, porse thotë që shfrytëzimi nga ta për këtë hapësirë është lejuar nga Ministria.

Fillimisht, ai pyet ekipin se sa do të qëndron, pasi i tregohet që rreth 1 orë bëhet pagesa prej 3 euro nga ekipi i “Betimit për Drejtësi”. Gazetarja, e pyet se a lëshohet kupon fiskal për pagesë, ai thotë që nuk ka.

“Po s’kena kupona. Është parking i Ministrisë, po na e shfrytëzojmë, sigurimi që jemi natën e shfrytëzojna deri në mëngjes, po vetë na kanë leju”, ka thënë punëtori.

Gazetarja: Ju vetë si persona apo si kompani kështu?

Punëtori: Jo bre na veç për vete i marrim na punëtorët, na të sigurimit që jemi.

Tutje, punëtori thotë që ministri dhe të tjerë ua kanë lejuar që të përdoret parkingu pas orarit.

“Po na edhe këta të ministrisë na kanë leju edhe qashtu. Po krejt këta, prej ministrit e teposhtë, cilin te vet. Po edhe këta na dhajnë pare kur të vijnë me i shti kerret këtu”, u shpreh ai.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një version nga punëtori tjetër, që kishte lejuar hyrjen e ekipit brenda parkingut zyrtar dhe që kishte marrë pagesë 2 euro për parkingun e veturave tjera, por ai nuk është përgjigjur.

Ndërsa punëtori, tek i cili ekipi ka paguar 3 euro për parking e që fillimisht barrën për shfrytëzim të parkingut e hedh mbi ministrin dhe të tjerë, nuk ka version të ngjashëm kur iu tregohet informata që është në përballje me gazetarë.

Gazetarja: Kështu i nderuar, unë jam gazetare prej Betimit për Drejtësi, ju po thoni që vetë ministri ja u ka leju kështu me shfrytëzu apo?

Punëtori: Jo, jo ministri, jo.

Gazetarja: Kush ja u ka leju?

Punëtori: Mos na incizo. Zonjë merri paret, merre kerrin edhe ecni… Mos më bë presion se jam duke pastru… A po më len rehat, mos më incizoni, ikni andej

Gazetarja: A mundeni me na tregu i nderuar, se kush prej ministrisë ja u ka leju?

Punëtori: Nuk kam informata…

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, mohon përfshirjen e tij. Në përgjigjen me shkrim, ministri Aliu, thotë që nuk ka kompetencë të lejojë shfrytëzimin  e parkingut zyrtar pas orarit të punës nga punëtorët e sigurimit fizik.

“Natyrisht, si Ministër nuk kam as kompetencë e as nuk mund të lejoj një gjë të tillë. Po ashtu, nuk kam qenë i informuar për këtë lloj aktiviteti, andaj me të pranuar informatën nga ju do të kërkoj të trajtohet ky rast dhe të merren masat sipas ligjit”, ka thënë ministri Aliu.

Versionin e parë të punëtorit, pra që Ministria ka lejuar të shfrytëzohet hapësira e parkingut zyrtar, e mohon Shefçet Damka, nga kompania MEB L.L.C.

“Për vete. Jo, jo absolut për kompaninë nuk vjen në shprehje ajo, as për ministrinë nuk ma merr mendja, s’ma merr mendja që bijnë në atë nivel. Çka janë paret aty, 1 euro, 2 euro, 5 euro, çfarë pare janë aty. Cili ministri që punon kënd mundesh me korruptu me 5 euro sot. Nuk është, nuk mundem me thënë se nuk ma merr mendja se janë njerëz ku punojnë intelektualë që punojnë nëpër ministri. Në qoftë se mashtrojnë, mashtrojnë me të madhe, nuk mashtrojnë me të vogla, me centa”, u shpreh Damka.

Në anën tjetër, Sekretari Bytyqi, mohon se ministri ishte në dijeni dhe se kishe lejuar të shfrytëzohet parkingu pas orarit të punës.

“Ja absolut, nuk besoj që i ka, do të thotë ministri e di që shumë rrallë shkon atje, nuk besoj që ka mujtë dikush me i dhënë leje. Më shumë ka mujtë me qenë arsyetim i tij, qysh me thënë pasi që e keni nxënë ju. Jo absolutisht nuk ka leje të Ministrisë, jo ajo është do të thotë një keqpërdorim që e kanë bërë ata”, ka thënë Bytyqi.


Pas raportimit të rastit nga “Betimi për Drejtësi”, Ministria jep vërejtje për kompaninë e kompania për njërin nga punëtorët

Parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, është shfrytëzuar si parking privat pas orarit të punës nga punëtorët e sigurimit fizik, të cilët janë të angazhuar nga kompania MEB L.L.C dhe të kontraktuar nga MMPHI.

Izedin Bytyqi, Sekretar i Përgjithshëm, ka thënë se operatorit ekonomik i është dhënë vërejtje, pasi që kanë pranuar informatën nga “Betimi për Drejtësi” dhe pas arsyetimit të pranuar nga MEB L.L.C.

“Ja kemi dhënë  një vërejtje, do të thotë nëse përsëritet kjo, atëherë duhet me ju ndërpre kontrata. Na kanë siguru që nuk ka me pasë, që nuk ka me ndodhë më kjo edhe besoj që nuk do të ndodhë. Është vërejtje sepse ata në arsyetimin që na kanë dhënë neve kompania se ju shpesh po e përmendni që ‘na ka thënë kompania’, ata na kanë thënë neve që kanë qenë të lajthitur prej gazetarëve sepse ai i ka lëshu për shkak të respektit ndaj gazetarëve për ta përcjellë një ngjarje që ka qenë në shesh për ditëlindjen e Skënderbeut nëse nuk gaboj edhe që gazetarët kanë insistu që me ja dhënë 3 euro. Kështu shkruan në raport të kompanisë që ai na ka dorëzu neve”, u shpreh Bytyqi.

Kompania MEB L.L.C, në shpjegimin e saj ka bashkëngjitur deklaratën e njërit nga punëtorët me të cilin është përballur ekipi i “Betimit për Drejtësi”. Po ashtu, vërejtjen që i është dhënë të njëjtit, në të cilën tregohet se është suspenduar me 1 muaj pa pagesë.

“Ne si kompani i kemi marrë informatat, para 3-4 dite, menjëherë të nesërmen kemi dal në vendgjarje dhe kemi marrë deklaratën e punëtorit Sahit Gashi me shkrim dhe  në deklaratë shume mirë shënohet se është e vërtet, që dy gazetar kanë hy brenda me veturë. Për shkak të respektit te gazetareve e ka liruar për parkim dhe pastaj pas një kohe gazetarët e kanë pyet punëtorin, a është parkingu privat, punëtori jonë e ka deklaruar menjëherë se është parkingu i Ministrisë, shtetëror dhe ata i kanë dhënë 3€ pije një kafe, punëtori në fjale nuk e ka kërkuar të holla ata vetë me deshirë i kanë dhënë dhe me një fjalë e kanë lajthit punëtorin. Dhe,  gazetarët i kanë vërejtë disa vetura brenda qe janë private, por ato vetura u përkasin punëtoreve të institucionit dhe ne mendojmë se kompania jonë nuk ka lidhje me rastin në fjalë edhe nëse ka ndodh ndonjë shkelje apo mosrespektimi i punës gjatë detyrës roja i sigurimit e mban përgjegjësin individuale, mirëpo nuk do të mbetet pa u ndeshkuar nga kompania jonë sepse këto gjëra janë të patolerushme”, shkruhet në emailin e kompanisë MEB L.L.C, dërguar në Ministrinë e Infrastrukturës.

Versioni i kompanisë MEB L.L.C, i dërguar në Ministri të Infrastrukturës, duke përshkruar deklaratën e njërit nga punëtorët, është kundërthënës krahasuar me faktet dhe bisedën e ekipit të Betimit për Drejtësi të bërë me punëtorët e sigurimit fizik. Faktet që ka sjellur ekipi i Betimit për Drejtësi në emisionin me titull “Shfrytëzimi privat i parkingut institucional”, tregojnë se ky veprim ndodhë me shumë qytetarë dhe jo vetëm nga një punëtor, por nga disa prej tyre.

Sekretari Ministrisë së Infrastrukturës, ka thënë se vërejtja për kompaninë është bërë duke pasur parasysh vetëm informatat, pa pasur faktet.

“Do të thotë, pasi që e kam pranu informatën prej juve, nuk kam pasë edhe pse ja u kam kërku, nuk kam pasë informata tjera, asnjë xhirim, as kurgjë hiç. Do të thotë pas emisionit, pasi t’i shohim faktet krejt se mundet me ndodhë që ndoshta ju e keni provu 3-4 herë, atëherë duhet me u ulë me menaxherin e kontratës dhe me i marrë veprimet”, u shpreh Bytyqi.

Bazuar në specifikimet e tenderit, kriter për kompaninë aplikuese është licenca e ushtrimit të veprimtarisë të Sigurimit e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme,  e cila po ashtu kërkohet edhe secilin punëtorë të sigurimit. “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar përgjigje nga MPB, lidhur me licensën e kompanisë dhe punëtorëve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, Shefçet Damka, theksoi se kompania dhe 8 punëtorë të angazhuar nga kompania e tyre kanë licencë. Por, për punëtorët thotë se janë të trashëguar nga kompanitë paraprake dhe se të njëjtit kanë punuar në hapësirat e Ministrisë së Infrastrukturës qe disa vite.

“Nëpër objekte, kur fitojmë tenderin, para meje e ka pasur një kompani tjetër, nuk e di cila kompani, por ne kur e kemi fituar tenderin, ose nëpër pika, nëpër ministri kur e fitojmë tenderin, njëherë shkojmë me prokurimin, e kërkojmë sqarimin a keni vërejtje për këta punëtorë që ka pasur kjo kompani tjetër, a mundemi me i mbajte, a keni ndonjë vërejtje në ndonjërin, a si. Po shumicën, ata na preferojnë që punëtorët janë në nivel dhe mundeni me i marrë si punëtorë me vazhdu tek kompania e juaj. Ne e marrim, e vazhdojmë kontratën me ne, normal kushtet duhet të plotësohen, licensimi, qito sene të gjitha, dhe vazhdon ato punëtorë që janë aty, sa kam marrë informacion, nja dy-tre janë që 7-8 vjet, nja dy-tre janë që 4-5 vjet e qushtu”, u shpreh Damka.

Këtë version të Damkës, e mohon të ketë ndodhur Sekretari Ministrisë së Infrastrukturës.

“Si proces zyrtar ne nuk kemi të drejtë me i thënë atij merre këtë apo merre atë. Nëse ka rekomandu përmes rrugëve private unë nuk di, por ai nuk ka pasë obligim do të thotë prej Ministrisë, ai ka pasë obligim me e kry punën e sigurimit çka ka në kontratë, nuk ka obligim me i marrë njerëzit e ministrisë ose kujt t’i them unë ose kush t’i thotë për dikënd tjetër”, u shpreh Bytyqi.


Kompania e kontraktuar për sigurim fizik, pjesë e listës së zezë nga dhjetori 2023 deri në mars 2024

Operatori ekonomik MEB L.L.C, në të cilën janë të angazhuar rojet e sigurimit që shfrytëzojnë parkingun e Ministrisë së Infrastrukturës si parking privat, ka qenë pjesë e Listës së Zezë së Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për tre muaj, nga 19 dhjetori 2023 deri më 18 mars 2024.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka një ligj bazik, i cili është Ligji i Prokurimit Publik dhe ndër kompetencat të tjera, përveç shqyrtimit të ankesave kundër aktiviteteve të prokurimit, Autoritetet Kontraktuese kanë të drejtë me paraqitë edhe një kërkesë për diskualifikim të një operatori ekonomik në rast se ka mashtrim në procesin e prokurimit apo në rast se ka bërë falsifikim të dokumenteve”, ka thënë Isa Hasani, u.d kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në rastin e kompanisë MEB L.L.C, arsyeja e diskualifikimit për tre muaj gjatë vitit 2023-2024, sipas vendimit të OSHP-së ishte për shkak të paraqitjes së të dhënave të rreme të një dokumenti të falsifikuar.

Sipas Isa Hasanit u,d kryetar i OSHP-së, ndaj kompanisë në fjalë gjatë këtij viti janë bërë edhe dy kërkesa për diskualifikim.

“Kjo kompani, po ashtu më vonë e ka pas edhe një kërkesë një Autoritet Kontraktues nga Autoriteti Qëndror i Prokurimit, që e ka bërë një kërkesë ndaj kësaj kompanie edhe për mashtrim, mirëpo paneli shqyrtues e ka shqyrtu dhe ka qenë e paargumentuar mjaftueshëm kërkesa e AQPF-së dhe kërkesa e saj është refuzu. Këtë vit, ne i kemi edhe dy kërkesa për diskualifikim të kësaj kompanie nga Autoritet Publike dhe jemi në proces të shqyrtimit dhe vendosjes së këtyre dy kërkesave. Njëra është nga Spitali i Gjakovës dhe njëra është nga Komuna e Prizrenit”, u shpreh Hasani.

Shefçet Damka, nga kompania MEB L.L.C, ka thënë se për këtë vendim kanë qenë të pakënaqur, ndaj edhe u janë drejtuar organeve të drejtësisë.

“Kompania jonë ka qenë në listë të zezë nja tre muaj, sa di unë koha e fundit vitit 2023 fillim 2024 e kam edhe vendimin mundem me iu tregu. Edhe u kanë në listë të zezë për shkak se në atë periodë kur këna konkurrua në tender edhe tenderi u kanë i hapur publik kemi konkurruar por ndërkohë ka ardhë një kontrollë prej ATK-së neve edhe kanë këqyrë edhe na kanë qit shtesë një TVSH shtesë. S’na kanë pranu do derivate që i kemi hargju me vetura, patrolla e sene ka qit shtesë  edhe kur e qitën ata shtesë na u obliguam me qu lëndën në Gjykatë, në Gjykatë”, thekson ai.


Ndërrimi i pronarëve në familje për shkak të problemave me ligjin – MEB L.L.C: Nuk është proces i jashtëligjshëm

Parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, që është shfrytëzuar si parking privat pas orarit të punës nga punëtorët e sigurimit fizik, të cilët janë të angazhuar nga kompania MEB L.L.C dhe të kontraktuar nga MMPHI.

Kompania MEB  L.L.C, e cila është e regjistruar në ARBK, që nga viti 2016, ka ndryshuar disa herë pronarët. Në historikun e pronësisë që ARBK, ia përcolli Betimit për Drejtësi, kompania ka ndryshuar pronarët brenda familjes. Aktualisht, pronar është Uluaras Damka, djali i Shefçet Damkës.

“Babai jem ka qenë më herët pronar, por ka kaluar në emër tem tash (nuk kuptohet) edhe moti i ka pasë disa probleme edhe ka kalu në emër tem. Kjo është diçka normale dhe sipas ligjit, mos me qenë najsen pa ligj nuk kishim mujtë me ndryshu pronarin”, u shpreh Uluaras Damka.

Shefçet Damka, ka thënë se pronar është ai, porse emri i djalit të tij Uluarasit figuron në ARBK. Ai thotë se ndryshimi i pronarëve në ARBK nuk është proces i jashtligjshëm dhe tregon se pse ka ndodhur ky proces

“Kompania prej 2015 është që vepron, ka qenë në emër tim në atë kohë, në 2018-2019 u dashtë me marrë licensimin, me u licensu nga Ministria dhe unë i kom pasë do raste të rrymës që kam lidhë do rrymë pa autorizim, kanë këputë rrymën në 2016-2017 kam lidhë pa autorizim, në Gjykatë. Edhe e kom pasë një rast për shamngie të tatimit të mahershëm për një kompani, po atë kena dalë, janë kry ato, po në atë periudhë kam qenë në proces edhe në qoftë se ke një rast në Gjykatë, në Polici s’ke mujtë me u pajisë me licensë dhe u detyrova me qitë në emër të djalit, djalit të madh. Anili, ka qenë djali i madh dhe e kam qitë në emër të atij dhe për një periudhë gati 2 vjeçare ka qenë në emër të atij ka qenë kompania. Tani, djali i madh konkurroi me një punë shtetërore, po aty ka qenë kriter që mos me pasë ndonjë biznes ose ortak i ndonjë biznesi tjetër për me konkurru edhe u detyruam me heq prej Anilit, me e vendos te Uluarasi, ky është djali jem i vogël. E për këtë arsye këna ikë prej atij, e kena qitë te djali tjetër edhe konkurroi, po nuk pat fat, por firma është familjare. Pa marrë parasysh a është Anili, a është Shefçeti, a është djali, a është çika, krejt është firma familjare”, ka thënë Damka.

Në OSHP, thonë se në rastet e ndërrimit të pronarëve ka vakum ligjor.

“Do të thotë Autoriteti ka të drejtë dy dëshmi me i kërku, një prej gjykatës që nuk është i dënuar pronari dhe e dyta duhet me e shiku regjistrimin e biznesit me pa kush është pronar i atij biznesi dhe mbi bazën e këtyre dy dokumenteve Autoriteti Kontraktues duhet me vlerësu se a është i dënum ai person apo jo. Mirëpo, tek ndërrimet, pra ndërrohet pronari ka shku pronari i parë është i dënuar, nuk është më pronar, është ndoshta edhe çështje e vakumit ligjor nëse e ka caktu pronar të kompanisë një anëtar të familjes tjetër, mirëpo kompania ka mbetë e njëjtë. Mirëpo. Edhe më herët thashë tek këto raste Gjykata duhet me i shpallë fajtor të dy edhe pronarin edhe kompaninë dhe kështu që nëse bëhet ndryshimi i pronarëve nuk mundet me i ikë të kompanisë se edhe ajo është përgjegjëse për mashtrim apo falsifikim në procedurat e prokurimit publik”, u shpreh Isa Hasani, u.d kryetar i OSHP-së.


Shefçet dhe Anil Damka nga kompania MEB L.L.C aktakuzë për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik

Kompania MEB L.L.C, e kontraktuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për sigurim fizik në objektin ish-“Gërmia”, ka ndryshuar disa herë pronarët dhe përfaqësueit e kompanisë.

“Betimi për Drejtësi”, ka arritur të sigurojë një aktakuzë aktive, të Shefçet Damkës dhe djalit të tij Anil Damka lidhur me keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 nëntor 2022 thuhet se i akuzuari Anil Damka, pronar i kompanisë “MEB” LLC në bashkëkryerje me të akuzuarin Shefçet Damka-përfaqësues i kompanisë, me vetëdije kanë shkel rregullat e prokurimit publik duke paraqitur dokumentacion të rrem, në atë mënyrë që kanë përpiluar kontrata fiktive kinse të lidhura mes kompanisë “MEB” L.L.C dhe kompanive të tjera “të cilat i kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021 të cilat referenca nuk janë fare të deklaruara në qarkullimin e Administratës Tatimore të Kosovës sipas procedurave fatura shitje-blerje dhe në Bankën Kombëtare Tregtare, si dhe kanë falsifikuar një dokument kinse të lëshuar nga BKT të cilin dokument e kanë përdorur në procesin e tenderimit, me ç’rast të njëjtit kanë vu në lajthim autoritetet kontraktuese dhe kanë arritur që të nënshkruajnë tri kontratat me Institucionet e Republikës së Kosovës.

Shefçet Damka, thotë për këtë rast nuk ka bazë për dënim.

“Kjo është një shpifje prej konkurentave tonë. Në Gjykatë jena qe 3 vite, nuk mundet me përfundu lënda, nuk ka kurrfarë dëshmi as Prokuroria e as Gjykata. Anilin e kanë heq prej sistemi krejt, se është i pafajshëm se ka qenë pronar. Unë kam thënë në atë periudhë 2020-2021 ka qenë ky, atë periudhë ka qenë pandemia, unë punojsha dhe Aneli Gjykata e ka heq të pafajshëm e për mu hala është duke shiku se çka me bë me neve, është në procedurë, por nuk ka ku shkon. Në qoftë se ka drejtësi, në qoftë së ka dinjitet, nuk mundesh po thotë për këtë letrën është fals, ani tregoma ku është origjinali, qysh erdh ky i falsifikum, tregoma origjinalin nuk po mundet me ma tregu”, u shpreh ai.

Për këtë aktakuzë “Betimi për Drejtësi”, ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Anil Damka, por ai nuk është përgjigjur.

Në anën tjetër, Shefçet Damka, ka 11 aktgjykime të plotfuqishme në Gjykatën Themelore në Prizren. Bazuar në të dhënat që ky institucion ka përcjellë tek “Betimi për Drejtësi”, një aktgjykim është për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”, me dënim me kusht. Për vepër penale të njëjtë, Damka ka një aktgjykim tjetër, ku po ashtu ëështëë dënuar me kusht.. Për këtë vepër penale ka edhe 5 aktgjykime të tjera, e që dënimet kanë qenë me gjoba nga 200-400 euro.

Damka, është dënuar me 2.700 euro në një rast tjetëër, për veprën penale “Shmangia nga tatimi” dhe me 2.500 euro në një rast tjetër për veprën e njëjtë.

Po ashtu, për “Falsifikim të dokumenteve” me gjobën 400 euro dhe “Heqja apo Dëmtimi i vulave Zyrtare” me gjobë 200 euro.

Isa Hasani, thekson se Autoritet Kontraktuese duhet të jenë të vëmendshëm në përzgjedhjen e operatorëve ekonomik.

“Mundësitë te Autoriteti Kontraktues, ka hapësirë bukur të madhe ligjore Autoriteti Kontraktues. Nëse e di që një kompani x e ka mashtru, nuk i ka kry punët, u lidh kontrata dhe si ka kry punët ai Autoritet duhet me shiku që nëse ai aplikon për së dyti duhet me pasë parasysh historikun e asaj kompanie, duhet me pa që në rastin e përzgjedhjes mos me zgjedhe kompaninë që i ka shkaktu probleme”, ka thënë u.d kryetari i OSHP-së.

Megjithatë, hapësira e destinuar për funksione zyrtare është kthyer në përfitime të paligjshme dhe në kundërshtim me qëllimin e saj në Ministrinë e Infrastrukturës.