Një hulumtim disamujor i “Betimi për Drejtësi”, zbulon një proces të dyshimtë të këmbimit të një prone komunale në Pejë me vlerë afër 2 milionë euro. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, a ka dhënë Komuna e Pejës një pasuri afër dy milionëshe në funksion të një skeme të kurdisur për interes privat?
Më 17 prill 2025, Kuvendi Komunal në Pejë, kishte disa pika në rend të ditës për shqyrtim. Njëra ndër to, ishte edhe këmbimi i një prone së paluajtshme komunale afër 2 milionshe, me pronarë privatë, e cila gjendet në rrugën Konstantini i Madh apo siç quhet ndryshe prona tek ish-Ambienti.
“Po kalojmë tek pika tjetër me radhë, shqyrtimi dhe miratimi i propozimit të kryetarit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronat e pronarëve privat Shkelzen Gutiqi, Qehaja Group, Sh.p.k, Raif Kelmendi me 6/7 dhe Ali Klemendi 1/7, me qëllim të interesit publik, rregullimit të shtratit të lumit”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal në Pejë, Rexhep Kurtbogaj në seancën e 17 prillit të vitit të kaluar.
Për këtë çështje, opozita kundër reaguan duke kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhej dhe të mos votohej mbi arsyetimin se ekziston një peticion i banorëve që prona të shfrytëzohej për gjelbërim dhe jo për ndërtime. Po ashtu, opozita treguan se në këtë parcelë jeton familja Mataj, e cila që nga viti 2022 ishte në kontest gjyqësor me Komunën për këtë pronë.
Pavarësisht këtyre, kuvendi komunal votoi pro propozimit të kryetarit.
“Atëherë 17 vota pro, 11 plus dy me ngritje dore, do të thotë 13 vota kundër, përmbajtur një, miratohet kjo pikë për këmbim prone”, kishte konstatuar kryesuesi Kurtbogaj.
Në këtë vendim të Kuvendit Komunal në Pejë, Betimi për Drejtësi, ka identifikuar shkelje ligjore, që nga koha kur Drejtoria për Çështje Pronësore – Juridike, ktheu këtë pronë nga “ujore” në “tokë ndërtimore”.
Dyshimet për një “kurdisje” të këmbimit të pronës shtohen edhe më shumë kur shihen se nga kush dhe se si u blenë pronat tek pjesa ku ishte paraparë rregullimi i shtratit të lumit Lumbardhi.
Më 3 qershor të vitit të kaluar, Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike (DÇPJ), në Komunën e Pejës, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se më datë 25 tetor 2019 ka bërë ndërrimin e destinimit të parcelës nga Pronë Shoqërore “Ujërat”, në pronë komunale.
Sipas DÇPJ-së, ndërrimi i destinimit të parcelës është bërë me qëllim të harmonizimit të gjendjes faktike.
“Gjatë kohës së riambulimit në vitin 1955-1956 rrjedha e lumit aty ka qenë e natyrshme dhe është regjistruar si e tillë – pronë shoqërore “Ujërat”, mirëpo pas ndërtimit të shtratit të lumit Lumbardh ajo pjesë është shfrytëzuar nga N.P “Ambienti” dhe është shfrytëzuar për qëllime të tjera, jo për shtrat të lumit”, thuhet në përgjigjen e DÇPJ-së.
Tutje, në përgjigje thuhet se pas largimit dhe rrënimit të objektit të ndërmarrjes publike “Ambienti”, sipas tyre bazuar në Ligjin mbi Tokën Ndërtimore dhe të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Statusit të Komunës së Pejës është lëshuar aktvendimi për ndërrimin e destinimit të parcelës afër 2 milionëshe dhe disa të tjerave.
“Mbështetur në Planin Rregullativ Urban të asaj kohe, si dhe sot në vazhdimësi është e paraparë sipas Hartës Zonale, si zonë ku lejohet ndërtimi i lartë dhe rregullimin e shëtitores buzë lumit Lumbardh. Të gjitha kompetencat për ndërrim të destinimit të këtyre parcelave në pjesën urbane sipas Ligjit në fuqi i takojnë komunave”, shpjegohet në përgjigjen e Drejtorisë për Çështje Pronësore-Juridike.
Betimi për Drejtësi, ka arritur të siguroj disa dokumente komunikimi në mes ndërmarrjes publike K.R.U ”Drini i Bardhë” dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo ndërmarrje kishte kërkuar sqarime pikërisht për këtë parcelë nëse mund të ishte nën administrimin e tyre.
Por, përgjigja e MMPHI-së që mban datën 9 tetor 2019, thotë se bazuar në Ligjin për Ujërat e Kosovës, në nenin 109, çdo objekt dhe pajisje ujore që ka qenë i administruar nga ndërmarrjet publike e regjistruar si ndërmarrje ekonomike në organin kompetent, do të kalojnë në administrimin e Ministrisë.
“Bazuar në dispozitat si më sipër, lidhur me ngastrat e regjistruara si P.Sh Ujërat (Pasuri Shoqërore e Ujërave), kompetent për administrimin e tyre është MMPHI dhe jo K.R.U “Drini i Bardhë”, thuhet në dokumentin që ka siguruar Betimi për Drejtësi.
I njëjti sqarim nga kjo ndërmarrje ishte kërkuar edhe gjatë vitit 2025 në Ministrinë e Mjedisit.
Përgjigja e ministrisë është e njëjtë. Madje, sipas tyre nuk ekziston ndonjë bazë ligjore ende për dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave.
“Me pronat dhe Pasurinë Ujore menaxhon MMPHI-ja bazuar në legjislacionin në fuqi, e cila akoma nuk ka bazë ligjore për dhënien e të njëjtave për shfrytëzim, kompensim apo shitje, andaj konsiderojmë se çdo veprim apo shfrytëzim i pronave është i jashtëligjshëm”, thuhet në komunikimin e K.R.U “Drini i Bardhë me MMPHI-në, të datës 9 shtator 2025, të cilin ka siguruar Betimi për Drejtësi.