Trepça ishte në disavantazh prej 12 pikëve në pjesën e parë në udhëtim te PAOK-u, 45:33.
Por në pjesën e dytë, kampionia e Kosovës e udhëhequr nga trajneri Edis Beqiragiq, u kthye me fytyrë krejtësisht tjetër.
U afrua në vetëm një pikë pesë minuta para fundit të ndeshjes në 71:70, me treshen e shënuar nga Mikaile Tmushiq.
Pasuan disa gabime nga basketbollistët e skuadrës mitrovicase, ndërsa ata të skuadrës greke shfaqën më shumë në fazën e sulmit, për fitoren e parë në nisje të ndeshjeve të Grupit F të “FIBA Europe Cup”.
Dhe ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Selanik, PAOK-u e fitoi me rezultatin 85:74.
PAOK-u ishte finalist i edicionit të kaluar të kësaj gare kur u mposht në ndeshjen e fundit nga Bilbao Basket, dhe rrjedhimisht, ishte favorit për fitore.
Vendësit e nisën mirë ndeshjen duke i fituar dy çerekët e parë, 27:20 dhe 18:13.
Trepçës i takoi çereku i tretë, të cilin e fitoi 22:18.
Edhe gjysmën e periudhës së fundit e luajti më mirë duke u afruar në vetëm një pikë, por pa arritur të bëjë më shumë.
Në fund, “xehetarët” pësuan humbje me njëmbëdhjetë pikë dallim.
Chad Broën i kishte statistikat më të mira te Trepça me 13 pikë e dhjetë kërcime. Lojë të mirë patën edhe JaCori Payne e Adnan Arslanagiq. Payne i shënoi 19 pikë, ndërsa pati edhe tri kërcime, katër asistime e një top të vjedhur, kurse Arslanagiq regjistroi 13 pikë, një kërcim e tri asistime. I pati edhe dy topa të vjedhur. Mikaile Tmushiq i shënoi tetë pikë, kurse Drilon Hajrizi i shtoi pesë të tjera. Megjithatë, këto statistika nuk ishin të mjaftueshme për ta shmangur humbjen.
Për Trepçën, që mbrojtjen e titullit në Kosovë e nisi me humbje në shtëpi nga Peja, 86:80, është paraqitja e tretë në fazën grupore të “FIBA Europe Cup”.
Vitin e kaluar i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet, njërën prej tyre me rezultat zyrtar.
Dy vjet më parë i kishte një fitore e tri humbje, por që nuk mjaftuan për të avancuar tutje.
Në grup me Trepçën dhe PAOK-un janë edhe Braunschweigu gjerman dhe Anwili polak.
Ndeshjen e radhës, Trepça e luan në palestrën “Minatori” në Mitrovicë ndaj Braunschweigut më 22 tetor, nga ora 18:30.
Në Grupin J garon edhe Bashkimi. Bashkimi luan të enjten nga ora 18;30 ndaj skuadrës së njohur kroate, Cibona. Ky ballafaqim zhvillohet në Zagreb.
Trepça në disavantazh prej 12 pikëve pas pjesës së parë
Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka nisur garën në “FIBA Europe Cup” ndaj PAOK-ut grek në udhëtim.
Në pjesën e parë, mitrovicasit janë duke humbur me 12 pikë dallim, 45:33.
Ndeshja po luhet në Selanik.
PAOK-u është favorit në këtë ballafaqim, pasi ishte edhe finalist i edicionit të kaluar. Në finale kishte humbur nga Bilbao Basket.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Adis Beqiragiq është në grup edhe me Braunschweigun gjerman dhe Anwilin polak.
Çereku i parë u takoi vendësve 27:20, ndërsa i dyti 18:13.
Statistikat më të mira te Trepça në pjesën e parë i pati JaCori Payne me 11 pikë, 2 kërcime e tri asistime.