Basketboll

Trepça në çerekun e katërt siguron fitoren ndaj Rahovecit 029

Trepça

Trepça ka shënuar fitore ndaj Rahovecit 029 në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma në “Minatori”, në praninë e një numri të vogël shikuesish, Trepça fitoi me rezultat 92:78. Por mitrovicasit fitoren e siguruan vetëm në çerekun e katërt. Në fund të çerekut të tretë rezultati ishte 65:61 për Trepçën. Pas pjesës së parë rahovecasit ishin në avantazh, 36:35.

Drilon Hajrizi u dallua te Trepça me 25 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime. Chad Brown i kishte 17 pikë e 13 kërcime. Kentrell Pullian ishte më i miri te Rahoveci 029 me 16 pikë, katër kërcime e katër asistime. 20 pikë e gjashtë asistime i kishte Isiah Umipig. Ai i kishte edhe gjashtë topa të humbur.

Trepça tani i ka tri fitore e dy humbje në Superligë. Rahoveci 029 i ka dy fitore e katër humbje.