Skuadra e Trepçës tashmë ka udhëtuar për në Samokov të Bullgarisë. Të hënën rrugë për në Samokov do të marrin edhe mbi 100 tifozë të klubit mitrovicas. Dhe përkrahja nga tribunat besohet se do të jetë shumë e rëndësishme në përballje me kampionin holandez, Heroes Den Bosch.
Trepça luan ndaj Den Boschit në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll. Ndeshja zhvillohet të hënën nga ora 20:00 në palestrën “SamElyon” në Samokov.
Skuadra mitrovicase për herë të dytë paraqitet në kualifikimet e Championsit. Vjet në çerekfinale e kaloi Keravnosin e Qipros, por në gjysmëfinale të raundit kualifikues humbi nga Nymburku çek.
Tani “xehetarët” shpresojnë të bëjnë hap tutje. Nëse e kalojnë Den Boschin, në gjysmëfinale të raundit kualifikues përballen me Bakken Bears të Danimarkës apo Kutaisin e Gjeorgjisë.
Trepça ka disa vjet që dominon në basketbollin kosovar. Në edicionin e kaluar i mblodhi gjithë trofetë e mundshëm. Klubi mitrovicas ka formuar skuadër garuese, me synim për të arritur grupet e Championsit. Pos që ka mbajtur lojtarët vendorë, Trepça ka shtuar në përbërje lojtarë cilësorë të huaj. Ka angazhuar edhe Shawn Jonesin, qendrën cilësore amerikane që është paraqitur për Kosovën dhe që ka pasaportë kosovare.
Fundori që luajti për Bosnjë-Hercegovinën në Eurobasket, Adnan Arslangiq, është përforcimi i fundit i huaj i Trepçës. Pos tij të huaj te Trepça janë edhe amerikanët Cedric Russell, JaCori Payne e Chad Brown, si dhe Mustapha Amzil, që ka pasaportë të Finlandës.
Hendikep për skuadra mitrovicase mund të jetë bashkimi i vonshëm me skuadrën i trajnerit Adis Beqiragiq, që udhëhoqi me sukses Bosnjë-Hercegovinën në Eurobasket. Por stërvitjet janë udhëhequr nga ndihmësit e Beqiragiqit, në koordinim të plotë me të.
Trepça ka zhvilluar edhe shumë miqësore, kurse së fundi luajti me Bashkimin. Edhe në miqësore palestra “Minatori” ishte e mbushur me shikues dhe pritet që pos nga tifozët e organizuar, Trepça në Bullgari të ketë përkrahje edhe nga shikues të tjerë.
Te Trepça presin kontribut të madh nga lojtarët me përvojë të vendit.
“Jemi përgatitur maksimalisht. Jemi përgatitur edhe bazuar në informatat që kemi për kundërshtarin e parë, Den Boschin. Por më shumë ishim të fokusuar që të përgatitemi si skuadër, të njohim më mirë njëri-tjetrin. Sa i takon kundërshtarit, e dimë prej nga vjen rreziku. Do t’i shfrytëzojmë pikat tona të forta. Do ta kemi përkrahjen e madhe të tifozëve dhe jam i bindur se paraqitja në Champions do të jetë shumë e mirë”, ka thënë Drilon Hajrizi, njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm dhe më me përvojë të Trepçës.
Mitrovicasit për herë të katërt rresht paraqiten në gara evropiane. Në edicionin 2022/2023 u ndalën në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët se Championsi.
Në edicionin 2023/2024, Trepça i eliminoi dy kundërshtarë në raundin kualifikues dhe luajti në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. E kishte një fitore e tri humbje dhe nuk avancoi.
Vitin e kaluar pas eliminimit nga Championsi, vazhdoi në fazën grupore të FIBA Europe Cup. I humbi të gjitha gjashtë ndeshjet.
Sërish kampionia e Kosovës e ka të garantuar fazën grupore të FIBA Europe Cup, por synim janë grupet e Championsit.