Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, është eliminuar që në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Xehetarët” kishin synime për të arritur në fazën grupore të Championsit, por u ndalën nga kampioni i Holandës, Heroes Den Bosch.
Skuadra holandeze fitoi me rezultatin 80:68.
Ndeshja u zhvillua të hënën mbrëma në Samokov të Bullgarisë. Pos Trepçës në Bullgari udhëtuan edhe mbi 200 tifozë të grupit mitrovicas “Torcida”. Kështu përkrahja për Trepçën në palestër ishte e madhe, por që nuk mjaftoi.
Skuadra e drejtuar nga Adis Beqiragiq e fitoi çerekun e parë me rezultat bindës, 27:19. Dhe dukej që fitorja do t’u takonte “xehetarëve”.
Por holandezët reaguan menjëherë në çerekun e dytë, të cilin e fituan 21:9. Dhe epërsia e Den Boschit pas pjesës së parë ishte katër pikë, 40:36.
Den Boschi e rriti epërsinë për katër pikë të tjera në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 24:20.
Në çerekun e katërt Trepça bëri përpjekje maksimale për të përmbysur rezultatin. Por loja e shfaqur nuk mjaftoi as për së afërmi për këtë. Dëshira për sukses nuk mjaftoi, ndërkohë që paraqitja në parket nuk ishte ajo që shpresohej.
Qendra Chad Brown kishte statistikat më të mira te Trepça. Ai ndeshjen e përfundoi me 11 pikë e 10 kërcime. Por kishte edhe shumë huqje.
JaCori Payne i realizoi 15 pikë e pesë asistime. Pikë dyshifrore kishte vetëm edhe Drilon Hajrizi – 10. Ai shtoi edhe pesë kërcime.
Është pritur më shumë nga lojtarët cilësorë të huaj të angazhuar nga Trepça, por edhe nga vendorët me përvojë.
Menno Dijkstra udhëhoqi skuadrën holandeze duke realizuar 13 pikë. Nuk e huqi asnjë tentim. 14 pikë i kishte Kerwin Walton, ndërsa 13 Keevan Veinot.
Në gjysmëfinale të turneut kualifikues, Den Boschi përballet me skuadrën daneze Bakken Bears. Ndërkohë Trepça kthehet në shtëpi dhe zhvendoset në fazën grupore të FIBA Europe Cup, ku ka përvojë tashmë.
Trepça për herë të dytë u paraqit në Champions. Vjet në çerekfinale e kishte kaluar Keravnosin qipriot. Këtë herë u ndal në pengesën e parë, ndonëse synimet e mitrovicasve ishin më të mëdha.
Në një mbrëmje ku “Torcida” ishte pika e vetme e ndritur, as që është mundur të pritet më shumë.
Trepça në disavantazh pas pjesës së parë
Ndonëse çerekun e parë e fitoi 27:19, Trepça është në disavantazh pas pjesës së parë të ndeshjes ndaj Den Boschit holandez.
Çereku i dytë përfundoi 21:9 për kampionin e Holandës.
Dhe pas 20 minutave lojë rezultati është 40:36 për Den Boschin. Ndeshja po zhvillohet në Samokov të Bullgarisë dhe i takon çerekfinales së raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Trepça po ka përkrahje të madhe të tifozëve. Mbi 200 tifozë mitrovicas kanë udhëtuar për në Bullgari.
Trepça me përkrahje të madhe të tifozëve në Bullgari
Trepça ka përkrahje të madhe të tifozëve të saj “Torcida” në ndeshjen në Samokov të Bullgarisë ndaj Den Boschit të Holandës.
Ndeshja filloi në ora 20:00 dhe i takon çerekfinales së raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Rreth 200 tifozë mitrovicas kanë udhëtuar për në Bullgari.
Trepça kërkon suksesin në Champions.