Basketboll

Rahoveci 029 e fiton “dramën” me Vëllaznimin

KB Rahoveci

Rahoveci 029 e ka fituar ndeshjen shumë dramatike ndaj Vëllaznimit. Të dielën mbrëma në “Mizahir Isma”, Rahoveci 029 fitoi me rezultatin e ngushtë, 86:84.

Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së 19-të.

Skuadra gjakovare ishte në epërsi gjithë kohën. Madje shumicën e kohës epërsia e Vëllaznimit ishte e lartë.

Por “vreshtarët” nuk u dorëzuan. 

1:22 minuta para fundit barazuan për herë të parë. J’von McCormick shënoi për tri pikë për 84:84. 

Vëllaznimi e humbi sulmin e radhës dhe 36 sekonda para fundit u faulua Kentrell Pullian. Ai realizoi dy gjuajtjet e lira për 86:84. Vëllaznimi më pas i huqi edhe dy sulme, në të cilat Jericole Hellems ishte i pasaktë për dy e tri pikë. Dhe kështu festa e madhe ishte për rahovecasit.

Kentrell Pullian ishte i pandalshëm te Rahoveci 029 me 32 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime. Bardh Rexha e ndihmoi fitoren me 13 pikë e shtatë kërcime. J’von McCormick i kishte 20 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

Hellems u dallua sërish te Vëllaznimi me 21 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Ziggy Reid i shënoi 15 pikë, ndërsa shtoi pesë kërcime. 15 pikë i kishte edhe Derrick Wilson.

Dy skuadrat tani i kanë nga 25 pikë në pozitat e fundit. Dhe kështu gara për të shmangur rënien bëhet shumë interesante.