Bashkimi të enjten e regjistroi humbjen e parë këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Bashkimi u mposht nga Vëllaznimi i Gjakovës.
Klubi nga Prizreni të shtunën e ka pësuar disfatën e dytë rresht duke u mposhtur nga Rahoveci 029 me rezultatin, 77:72. Ndeshja u zhvillua në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec dhe i takoi xhiros së nëntë. Ishte ndeshje e barabartë deri në momentet e fundit. Por basketbollistët e Rahovecit 029 u treguan më të saktë në fund për fitoren e rëndësishme.
Rahoveci 029 e fitoi çerekun e parë me rezultat, 19:17. Edhe çereku i dytë i takoi vendësve, 21:17. Çereku i tretë u fitua nga Bashkimi, 20:11. Dhjetëminutëshi i fundit i takoi sërish skuadrës së Bujar Locit, 26:18.
Kentrell Pullian u veçua te Rahoveci 029 me 26 pikë, pesë kërcime dhe nëntë asistime. U dallua edhe Julian Roche me 18 pikë dhe dhjetë kërcime.
Te Bashkimi lojë të mirë pati Kyan Anderson me 28 pikë, dy kërcime dhe gjashtë asistime.