Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Pas suksesit në Kupë, Amzili synon edhe më shumë me Trepçën

Mustapha Amzil

Mustapha Amzil u transferua te Trepça në korrik të vitit të kaluar. Por të mërkurën në Rahovec, në finale të Kupës së Kosovës ndaj Bashkimit, zhvilloi pa dyshim ndeshjen më të mirë me fanellën e ekipit mitrovicas. 

Ai e përfundoi ndeshjen me dyshifror të dyfishtë prej 22 pikëve dhe 12 kërcimeve. I kishte statistikat më të mira te Trepça dhe e fitoi epitetin e lojtarit më të vlefshëm të finales. Trepça fitoi bindshëm me rezultatin 91:72. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Amzili në fillimet e tij tek ekipi nga Mitrovica ka pasur paraqitje solide. Por cilësitë e tij i shfaqi në ndeshjen ku Trepça e fitoi trofeun e nëntë të Kupës së Kosovës në basketboll dhe të pestën rresht.  

“Ishte ndeshje që pritej me padurim nga klubi dhe tifozët. Bashkimi ka ekip shumë të mirë, kështu që e dinim se duhej të paraqiteshim në mënyrën më të mirë për ta mposhtur këtë skuadër. Unë vetëm isha i fokusuar ta bëj më të mirën dhe besova në vete. Kjo më ndihmoi që të kisha paraqitje të tillë”, ka deklaruar Amzil të enjten për KOHËN. 

Amzili u lind në Finlandë, ndërsa ka prejardhje nga Maroku. Ai është 24-vjeçar, i gjatë 206 centimetra dhe luan në afërsi të koshit. 

Karrierën e ka nisur në Finlandë, ndërsa nga viti 2020 ka luajtur edhe në SHBA, në NCAA për skuadra si Dayton Flyers dhe New Mexico Lobos. 

Amzil thotë se kur erdhi në fillim ka qenë e vështirë, por me ndihmën e bashkëlojtarëve dhe stafit të trajnerëve, është ambientuar shpejt. 

“Ishte paksa e vështirë në fillim, sepse është viti im i parë i basketbollit profesionist këtu. Vetëm po mundohem që të përshtatem në shtetin dhe ekipin e ri. Tani jam duke bërë mirë, kam bashkëlojtarë të mirë, trajnerë dhe anëtarë të tjerë të klubit që më kanë ndihmuar shumë që të vendosem sa më mirë këtu. Më pëlqen të jem këtu, Kosova është shtet shumë i mirë”, ka shtuar tutje Amzil. 

Trepça është në rrugë të mirë për ta vazhduar dominimin edhe në këtë edicion në basketbollin kosovar. Përveç Kupës së Kosovës, Trepça i prin edhe tabelës së Superligës së Kosovës. Pas 20 ndeshjeve, i ka 17 fitore e tri disfata. Bashkimi është i dyti me 14 fitore e gjashtë humbje. Të dyja këto skuadra pritet ta bëjnë luftën deri në fund edhe në kampionatin elitar. 

“Është ndjenjë e mirë, sepse mendoj se kemi ekip të shkëlqyer. Jam duke e bërë punën time dhe po mundohem ta ndihmoj skuadrën të arrijë synimet e vendosura, në të cilat është edhe kampionati. E vlerësoj lart edhe dashurinë e madhe që e marr nga tifozët vazhdimisht”, është shprehur shtatlarti i “xehetarëve”. 

Pavarësisht nisjes së vrullshme e të suksesshme të Amzilit në Kosovë me Trepçën, karriera e tij pas përfundimit të këtij edicioni mund të vazhdojë në ndonjë vend tjetër. 

Kështu ka lënë të kuptohet vetë basketbollisti i talentuar. 

“Jam i fokusuar që ta mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk e kam menduar ende se ku do të luaj në vitin tjetër, por koha do ta tregojë këtë. Synimi është që të bëhem njëri prej lojtarëve më të mirë në Evropë dhe të fitojë kampionate”, ka deklaruar Amzil.