Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Pas dominimit në Kosovë, Trepça synon grupet e Championsit

KB Trepça

Dy edicione më parë, Trepça kishte kaluar me sukses çerekfinalen e raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll. Edicionin e kaluar u ndal në pengesën e parë, ndërsa në paraqitjen e tretë, te kampionia e Kosovës, Trepça, kanë bindjen se do ta sigurojnë paraqitjen në fazën grupore të Championsit.

Paraqitjen në kualifikimet e “Championsit”, mitrovicasit e sigurojnë pas titullit të tretë rresht, të cilin e fituan të mërkurën mbrëma pas fitores 98:78 ndaj Bashkimit në “Sezai Surroi” në Prizren. Ishte titulli i shtatë në histori të klubit mitrovicas.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Trepça i fitoi edhe tri finalet tjera ndaj Bashkimit për të konfirmuar dominimin në vitet e fundit në basketbollin e Kosovës.

“Ne për momentin tani e kemi një reflektim të punës që e kemi bërë dhe kemi menduar shumë kohë më parë, ende pa përfunduar kampionati, edhe për vitin që po vjen në kampionat e po ashtu edhe në Evropë. Siç dihet, ne do të marrim pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve, ku pretendojmë që ta kalojmë grupin. Është viti i tretë me radhë që do të marrim pjesë. Vitin e parë jemi paraqitur shumë mirë, me pak fat do ta kalonim grupin. Në vitin e kaluar kemi pasur pak ngecje në Evropë. Ndërkohë, sivjet pretendojmë dhe shpresoj e besoj fuqishëm që ne do të jemi arrë e fortë edhe për Evropë”, ka thënë drejtori i Trepçës, Izet Tahiri, për KOHËN të enjten.

Trepça tani është skuadra e dytë më e suksesshme në Kosovë, duke e kaluar Pejën që ka gjashtë tituj. Sigal Prishtina është skuadra me më së shumti trofe. Prishtina i ka 14 tituj. Trepça i ka fituar titujt në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024 dhe 2025. 

Muaj më parë pikërisht ndaj Bashkimit, Trepça e fitoi edhe Kupën e Kosovës për herën e pestë rresht, dhe për të nëntën herë në histori.

Trepça ka fituar edhe dy trofe të Superkupës dhe po ashtu Ligën Unike.

Vlerësimi për Vullnetin, Lindritin dhe “Torcidën”

Tahiri thotë se rol të madh në sukseset e  “Trepçës së madhe”, kanë Vullnet Sefaja dhe Lindrit Misini.

“Janë dy njerëz në krye të bordit, Vullneti dhe Lindriti, të cilët nuk e lënë askënd për asnjë moment të pushojnë”, ka theksuar Tahiri.

Ai thur lavde edhe për trajnerin Beqiragiq dhe lojtarët, vendor dhe të huaj. Ai thotë se më lehtë është të fitohet titulli sesa të mbrohet. 

“Është e lehtë të fitohet por më e zorshme të mbrohet. Në këtë vit, pa dashur t’i lë anash dy vitet e kaluara, me të vërtetë ka qenë konkurrenca shumë e fortë, thuajse të gjitha tetë ekipet e kanë mposhtur njëra-tjetrën. Ne jemi futur me një seri të fitoreve, me një formë të mirë prej dhjetorit e deri në gjysmëfinale e kemi pasur vetëm një humbje nga Peja. Do të thotë humbje s’kemi as në finale. Kemi dominuar ligën. Nuk mbahet mend kur një skuadër në finale e fiton me 4:0 skuadrën kundërshtare, e cila për mendimin tim, është skuadra ndër më të organizuara në ligë, ose mund të them në dyshen e skuadrave më të organizuara në ligë”, ka theksuar Tahiri duke vlerësuar lart Bashkimin. “Edhe te Bashkimi është bërë një punë e mrekullueshme, me staf e ekip të mirë, por ja që në sport dikush duhet të shpallet kampion. Kësaj radhe në njëfarë forme e deshëm më shumë fitoren, kishim edhe fat më shumë se Bashkimi dhe u shpallëm kampion për t’i shpërblyer tifozët tanë besnik ‘Torcidës’ dhe gjithë qytetit të Mitrovicës”

Arkitekti i sukseseve

Skuadra me seli në “Minatori”, vlerësohet për organizimin. Angazhimi i trajnerit Adis Beqiragiq, lojtarëve më të mirë vendorë dhe lojtarëve cilësorë të huaj, bëri që  Trepça të bëhet ekip i fortë për çdo kundërshtar të garave vendore.

Arkitekti i sukseseve të fundit të Trepçës, Adis Beqiragiq, përgëzon lojtarët për angazhimin dhe disiplinën sportive. 

“Falënderoj Zotin. Jam shumë i lumtur. Besoj se ne e kemi dominuar ligën. Në fund, e di se ne kishim probleme, ata kishin probleme, por mendoj se kemi luajtur mirë në gjithë sezonin. Nuk prisnim të fitonim 4:0 por padyshim jemi shumë të lumtur. Jam i lumtur për djemtë të cilët e udhëheqin këtë klub. Ky klub është shembull se si duhet të bësh klub të mirë. Trepça është skuadër shumë mirë e organizuar. Me këtë klub mund ta mbash kokën lart kudo në Evropë. Jam i lumtur për qytetin, për lojtarët e mi që kanë punuar shumë në këtë sezon. Dua t’i falënderoj të gjithë që kanë kontribuuar”, ka thënë Beqiragiq, i cili për gjashtë vjet në Kosovë ka fituar 14 trofe.

Shumë trofe në Kosovë ka fituar edhe Mikaile Tmushiq.  

“Edhe një fitore, edhe një Kupë. Dua t’i falënderoj të gjithë, qytetin dhe ‘Torcidën’, për të gjithë ndeshjet. Atmosfera ishte shumë e mirë edhe në dy ndeshjet që i luajtëm në Prizren. E dinim që te Bashkimi kishte lojtarë të lënduar, por sërish kjo skuadër ka shumë lojtarë të mirë individualisht. Jemi të lumtur. Dua t’ia dedikoj këtë triumf familjes time që nuk e kam parë për një kohë të gjatë”, është shprehur Tmushiq. 

Kenneth Hasbrouck, po ashtu shprehet i lumtur për arritjet me Trepçën

“Mendoj se kemi trajner të shkëlqyer. Ai aplikon sistem në të cilin nuk kam luajtur asnjëherë, por ai është trajner shumë i mirë. Organizimi i Trepçës është shumë i mirë për mua”, ka thënë Hasbrouck, i cili vazhdoi kontratën edhe për një edicion.

Trepça ka nisur menjëherë punën për edicionin e ardhshëm dhe garat evropiane. 

Të enjten prezantoi edhe një lojtar vendor. Bëhet fjalë për Rron Dahsylën e Vëllaznimit.