Trepça kishte formë të luhatshme në fillim të sezonit dhe për disa javë e humbi vendin e parë në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll.
Por fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti, për kampionen në fuqi të Kosovës ishte thuajse i përkryer. Trepça të mërkurën e siguroi avancimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, të cilin garë po ashtu e fitoi në edicionin e kaluar.
Tani skuadra e udhëhequr nga trajneri Adis Beqiragiq i kthehet Superligës, me përballjen e vështirë me nënkampionin Bashkimin. Trepça është e para me 13 fitore e tri disfata, ndërsa Bashkimi renditet i dyti, kurse ka 11 fitore e pesë humbje.
Derbi i xhiros së 17-të mes Trepçës e Bashkimit luhet të dielën nga ora 17:00 në palestrën “Minatori”.
Trepça në çerekfinale të Kupës e eliminoi Golden Eagle Yllin, skuadër të cilën Drilon Hajrizi e vlerëson shumë. Hajrizi është prej lojtarëve më të mirë dhe më me përvojë në Kosovë, kurse ka kërkuar kujdes nga bashkëlojtarët për duelin ndaj prizrenasve.
“Në vikend do ta kemi njërën prej lojërave më të rëndësishme ndaj Bashkimit. Është ndeshje që ne e kemi për shkëputje në tabelë, kurse Bashkimi për t’iu afruar vendit të parë. Besoj se do të jetë një lojë shumë e rëndësishme, shpresoj të jetë korrekte, pasi luajnë dy ekipet më të mira në ligë. Besoj shumë se do të jetë një atmosferë shumë e mirë nga ana e shikuesve. Shpresoj që do të na ndihmojnë shumë. Nëse angazhohemi, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv”, ka deklaruar Hajrizi të premten për KOHËN.
Ai theksoi se në garën për titull përveç Trepçës dhe Bashkimit, është edhe Golden Eagle Yllit.
“Asnjëherë nuk bën të nënvlerësohet Ylli. Edhe Ylli ka ekip shumë të mirë për të luftuar për titull kampioni. Prapë se prapë unë mendoj që Trepça dhe Bashkimi me këto përbërje që i kanë për momentin, janë dy ekipet që pres të jenë deri në fund”.
Trepça është në ecuri prej shtatë fitoreve në Superligë dhe për këtë arsye trajneri i Bashkimit, Igor Jovoviq, e vlerëson favorite para duelit të së dielës.
Ai ka shtuar se Bashkimi do të mundohet të shkaktojë befasi.
“Është shumë e vështirë të luhet në Mitrovicë. Kështu që presim ndeshje shumë të vështirë. Trepça është favorite, por unë po ashtu besoj se kemi kualitet dhe personalitet në ekip për të luajtur për 40 minuta dhe për të qenë në lojë sa më gjatë që është e mundur. Do t’i qasemi lojës me optimizëm dhe të provojmë të bëjmë befasi”, ka thënë Jovoviq. Bashkimi në vikend hyn pas dy fitoreve rresht në ligë.
Tekniku i prizrenasve ka theksuar se Trepça, Bashkimi, Ylli, Bora e Prishtina, pritet ta kenë fjalën kryesore në fund të edicionit.
“Duhet ta kuptojmë se Ylli po investon vazhdimisht në përbërje, duke provuar të jetë në krye. Edhe Bora po luan shumë mirë. Prishtina po ashtu është ekip që ka potencial të madh. Kështu që liga është shumë e balancuar. Trepça për momentin është pak mbi të tjerat, por kjo mund të ndryshojë në ndonjë periudhë të caktuar”, është shprehur Jovoviq.
Bashkimi të enjten e fitoi edhe ndeshjen e dytë çerekfinale ndaj Pejës dhe bëri vend në gjysmëfinale.
Xhiroja nis të shtunën me dy ndeshje. Nga ora 17:00 luhet dueli Rahoveci 029 – Sigal Prishtina, kurse ndeshja Bora – GO+ Peja nis në orën 19:30.
Të dielën nga ora 19:30 luhet ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Vëllaznimit.