Një ditë pasi e siguroi edhe fitoren e dytë në serinë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar, Trepça postoi fotografi të palestrës “Minatori”, të mbushur plot me shikues.
Me mbështetjen e flaktë të tifozëve të vet, Trepça kishte motiv të madh për të luftuar ndaj Bashkimit. Dhe i fitoi të dy finalet e para të luajtura në Mitrovicë. Në të dyja ndeshjet ishin mbi 3000 shikues. Finalen e parë më 10 maj, Trepça e fitoi me rezultat bindës, 94:79. Finalja e dytë ishte dramatike, por megjithatë, ekipi i udhëhequr nga trajneri Adis Beqiragiq, shfaqi më shumë në momentet e fundit. Dhe fitoi të mërkurën në ndeshjen e dytë, 93:83. Tani Trepça ka epërsi 2:0 në serinë finale ndaj Bashkimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDy ndeshjet e radhës do të luhen në Prizren, përkatësisht në palestrën “Sezai Surroi”.
Atmosferë e zjarrtë pritet të jetë edhe në ndeshjen e tretë finale që luhet të dielën nga ora 19:30.
Mobilizimi i Bashkimit jep shpresë për dy finale tjera të forta.
Bashkimi ka bërë disa postime prej ditës së mërkurë. Dhe të gjithë lidhen me tifozët. Skuadra “portokallezi” mbështetet te përkrahësit e vet për t’u kthyer në lojë e për të luftuar për titull kampioni.
“Të dielën na duhet salla e stërmbushur, me zë, me energji, me zemër – për t’i shtyrë djemtë tanë deri në fund. Të gjithë bashkë për një qëllim. Shihemi në ‘Sezai Surroi’”, ka shkruar Bashkimi në postimin pas finales së dytë të mërkurën.
Të premten, klubi prizrenas ka bërë tjetër thirrje për përkrahje të madhe.
“Prizreni gjithmonë ka treguar zemër dhe bashkim, dhe edhe kësaj here na duhet që tribuna të jetë e mbushur me zë, energji dhe mbështetje për ekipin”, shkruhet në postimin tjetër të klubit prizrenas. Më pas ka postuar një video të tifozëve.
Për të mbetur në garë për titullin e dytë të kampionit në Kosovë, Bashkimi duhet t’ia dal pa njërin prej më të mirëve në skuadër, Kyan Andersonin.
Andersoni, siç ka njoftuar Bashkimi të shtunën, ka pësuar lëndim dhe nuk do të mund ta ndihmojë ekipin të dielën në mbrëmje.
“Pas kontrolleve mjekësore të kryera pas ndeshjes se fundit, lojtari ynë Kyan Anderson ka rezultuar i lënduar dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e radhës. I urojmë shërim sa më të shpejtë”, shkruhet në njoftim.
Trepça, që në vitet e fundit ka dominuar në basketbollin kosovar, është në kërkim të titullit të shtatë në histori, dhe të tretit rresht.
Trepça e Bashkimi ishin në finale të plejofit edhe në edicionin e kaluar. Në këtë sezon u takuan edhe në finale të Kupës së Kosovës.
Më 18 shkurt të këtij viti, Trepça e mposhti Bashkimin 91:72, dhe e fitoi Kupën e Kosovës për herën e pestë rresht. Trepça i ka nëntë trofe të Kupës, ndërsa Bashkimi trofeun e Kupës së Kosovës e ka fituar vetëm një herë, në vitin 2001.