Basketbollistja franceze, Clara Mertz, ka bërë akuza të rënda ndaj klubit kosovar, Peja 03.
Mertz ka folur për një medium francez, “bebasket.fr”, ndërsa ka akuzuar klubin pejan se i ka mbetur borxh. Por të gjitha akuzat e saj janë mohuar nga klubi kosovar.
Mertz ishte për pak kohë pjesë e Pejës 03 në vjeshtë. Sipas versionit të saj, ka qëndruar për tri javë në Kosovë gjatë tetorit. Dhe nuk është paguar, pos 200 eurove që i mori para të gatshme nga trajneri. Sipas mediumit francez, basketbollistja kishte firmosur për dy muaj, për të luajtur në gara evropiane. Por luajti vetëm 3 minuta e 21 sekonda në EuroCup, përgjatë dy paraqitjeve.
Francezja ka theksuar se klubi nuk ia dha rastin në stërvitje. Sipas kontratës, ajo kishte pagë prej 1500 dollarë në muaj. Basketbollistja pretendon se në Pejë ka qëndruar prej 30 shtatorit deri më 21 tetor dhe për këtë është dashur të paguhet 1100 dollarë. Ajo mori 200 euro nga trajneri për të paguar shpenzimet për kartelë bankare. Por Mertz thotë se nuk mori para të tjera. Ajo thotë se me klubin u morën vesh që t’i paguhen edhe 750 dollarë, përkatësisht 644 euro.
Sipas mediumit francez, lojtarja ka prezantuar mesazhe që ia ka dërguar kryetari i klubit pejan, ku ndër të tjera është shkruar: “luaj para se të kërkosh para, turiste”, “për cilat para po flet? Të kam paguar më shumë se që e meriton. Erdhe për të ndihmuar ekipin dhe çka ke bërë? Ke qëndruar ulur në bankë dhe ke luajtur një minutë”.
“Unë jam nënë e vetme. Unë jetoj nga basketbolli, kam familjen për ta përkrahur”, ka thënë basketbollistja për “bebasket.fr”.
Ajo ka thënë se nuk është trajtuar si duhet nga klubi Peja 03.
KOHA ka kontaktuar klubin Peja 03, që ka mohuar akuzat e basketbollistes.
“Ne i hedhim poshtë në mënyrë kategorike pretendimet se klubi Peja 03 i ka mbetur borxh lojtares apo se ajo është trajtuar në mënyrë jo korrekte. Këto akuza janë të pabazuara, të njëanshme dhe nuk përputhen me faktet reale, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme. Clara Mertz u angazhua si lojtare përforcuese për ndeshjet e EuroCup Women me një kontratë të paraparë për dy muaj. Megjithatë, ajo ka qëndruar gjithsej 21 ditë në Kosovë. Ajo ka qenë realisht pjesë aktive e ekipit për rreth dy javë, ndërsa ka qëndruar edhe afërsisht një javë shtesë pasi ishte njoftuar zyrtarisht se kontrata e saj është ndërprerë. Ky qëndrim shtesë nuk ka qenë më në bazë kontraktuale, por është toleruar nga klubi në mirëbesim të plotë, për t’i dhënë kohë të mjaftueshme që të gjente një zgjidhje për të ardhmen e saj profesionale dhe për të mos u lënë në një situatë të papërshtatshme”, shkruan në përgjigjen me shkrim të Peja 03.
Sipas klubit, niveli i lojtares ishte larg standardit që e ka kërkuar shtabi teknik.
“Angazhimi i saj ka qenë kërkesë dhe zgjedhje ekskluzive e stafit teknik. Performanca e saj është vlerësuar unanimisht nga trajneri kryesor, ndihmëstrajneri dhe trajneri kondicional si dukshëm nën standardin minimal profesional për nivelin e ekipit. Ky fakt ka qenë indikator i drejtpërdrejtë që ajo të mos përfshihej aktivisht në ekip. As ekipi dhe as trajneri nuk kanë asnjë interes dhe asnjë leverdi sportive të rekrutojnë lojtare ‘të padobishme’ apo me performancë të dobët. Përforcimet merren për të sjellë risi, për të ngritur nivelin e ekipit dhe për të ndihmuar realisht në rezultate, jo për të qenë barrë sportive apo financiare për klubin. Për këtë arsye, trajneri ka kërkuar ndërprerjen e kontratës pas vetëm pak ditësh stërvitje”, shkruan tutje në përgjigje.
Duket që edhe te klubi përgjegjësitë nuk ishin plotësisht të qarta. Në përgjigjen me shkrim thuhet se kontratën me Mertz e ka nënshkruar vetëm ish-trajneri, Izzat Ismail. Kjo nuk është praktikë e shpeshtë, që trajneri të nënshkruajë kontratë me lojtarë.
“Kontrata profesionale me Clara Mertz është nënshkruar vetëm nga ish-trajneri z. Izzat Ismail dhe jo nga organet drejtuese apo përfaqësuesi ligjor i klubit, çka dëshmon se angazhimi i saj ka qenë projekt personal i tij dhe jo vendim institucional i klubit. Duke filluar nga rekrutimi, nënshkrimi i kontratës, trajnimi sportiv dhe deri te çështja e pagesës, ish-trajneri e ka marrë përsipër personalisht mbulimin dhe menaxhimin e të gjitha këtyre aspekteve për lojtaren. Në të njëjtën linjë, edhe pagesa e saj ka qenë përgjegjësi e tij, pasi ishte paraparë të mbulohej nga sponsori që ai kishte sjellë. Ish-trajneri i ka dhënë lojtares 200 euro ‘cash’ për periudhën 6–7 ditë qëndrimi aktiv në ekip dhe në atë moment edhe vetë lojtarja ka qenë dakord me këtë aranzhim. Madje, edhe në artikullin e publikuar në portalin francez, të cilit i referohet vetë lojtarja, thuhet qartë se ajo ka pohuar se shumën prej 200 euro e ka marrë nga trajneri. Ky është një pranim publik i drejtpërdrejtë se pagesa është kryer dhe se ajo nuk ka mbetur pa kompensim për periudhën e qëndrimit aktiv. Për rrjedhojë, çdo pretendim se klubi Peja 03 i ka mbetur borxh lojtares bie ndesh jo vetëm me faktet reale, por edhe me vetë deklarimet e saj publike në median franceze. Këto deklarime të pavërteta dhe kontradiktore dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin dhe reputacionin e klubit, për çka KBF Peja 03 rezervon të drejtën që ndaj këtyre shpifjeve dhe pasaktësive faktike të ndjekë rrugët ligjore përkatëse”, shkruan në përgjigjen e klubit pejan.
Nuk është hera e parë që basketbollistë apo basketbolliste të huaja akuzojnë klubet kosovare për mosrespektim të kontratave. Shumë raste kanë përfunduar edhe në gjykatën e FIBA-s që merret me këto çështje. Në të shumtën e rasteve klubet detyrohen të bëjnë marrëveshje me lojtarët për t’i mbuluar shpenzimet.