Një tjetër incident serioz ndodhi të shtunën mbrëma në basketbollin kosovar. Zyrtari i klubit të basketbollit Vëllaznimi, Jeton Bakalli, hyri në fushën e lojës dhe kreu sulm fizik ndaj arbitrit Erzen Haxhani.
Bakalli nuk e ka goditur Haxhanin, por megjithatë ka pasur kontakt fizik. Ndeshja e Vëllaznimit me Sigal Prishtinën megjithatë vazhdoi dhe u zhvillua deri në fund. Ndonëse arbitri u sulmua, ishin arbitrat që vendosën që ndeshja të vazhdonte.
Federata e Basketbollit të dielën ka dënuar sulmin, pasi këtë fillimisht e bëri Shoqata e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës.
Përmes një komunikate, “FBK-ja ka dënuar në mënyrën më të ashpër të mundshme sulmin fizik të ushtruar ndaj gjyqtarit të ndeshjes Erzen Haxhani”.
FBK-ja e ka cekur me emër autorin e sulmit, ndërsa ka thënë se bëhet fjalë për akt të rëndë dhune.
“Sulmi i kryer nga zyrtari i KB Vëllaznimit, Jeton Bakalli, është akt i rëndë dhune, i patolerueshëm dhe thellësisht i papranueshëm për sportin dhe për çdo standard të sjelljes institucionale. Ky veprim përbën shkelje serioze të rendit sportiv, cenimt të drejtpërdrejtë të integritetit të garës dhe sulm ndaj autoritetit të sistemit të drejtësisë sportive”, shkruan tutje FBK-ja.
FBK-ja ka premtuar përkrahje maksimale për gjyqtarët dhe shoqatën e tyre. FBK-ja vlerëson se çdo sulm ndaj gjyqtarëve është sulm ndaj basketbollit të Kosovës.
“Rasti do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe Federata do të ndërmarrë masa disiplinore të rrepta, në përputhje me rregulloret në fuqi, ndaj çdo individi dhe çdo subjekti që mban përgjegjësi për këtë incident. Çdo akt dhune do të marrë përgjigje të menjëhershme, proporcionale dhe me efekt të qartë ndëshkues dhe parandalues. Federata pret dhe kërkon përgjegjësi të plotë institucionale nga klubet për sjelljen e zyrtarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Organizimi i garave nuk mund të zhvillohet në kushte ku siguria e zyrtarëve vihet në rrezik”, ka shkruar FBK-ja.
Për gjyqtarët është shqetësuese që sulmet po bëhen nga drejtues të klubeve.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe thellësisht trishtuese që sulmet ndaj zyrtarëve nuk po vijnë nga shikuesit, por nga vetë anëtarët dhe përfaqësuesit e klubeve, të cilët duhet të jenë shembull i korrektësisë, respektit dhe ferplejit. Kur dhuna buron nga ata që kanë përgjegjësi direkte në organizimin dhe mbarëvajtjen e garës, dëmi që i bëhet sportit është edhe më i madh. Kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe masa të rrepta nga organet kompetente dhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Heshtja ose dënimet simbolike vetëm sa e inkurajojnë përsëritjen e rasteve të tilla. Presim që vendimet dhe masat disiplinore të jenë proporcionale me peshën e incidentit dhe të dërgojnë mesazh të qartë se dhuna nuk tolerohet. Në rast se dënimet mbeten vetëm simbolike dhe situata të tilla vazhdojnë të përsëriten, Shoqata e Gjyqtarëve do të jetë e detyruar të shqyrtojë hapa të mëtejmë institucionalë dhe më rigorozë, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së integritetit, sigurisë dhe dinjitetit të gjyqtarëve”, shkruan në komunikatën e shoqatës së gjyqtarëve.
Gjyqtarët kanë thënë se janë duke shqyrtuar mundësinë që të mos pranojnë të drejtojnë ndeshje në Gjakovë, “pasi nuk është hera e parë që incidente të tilla ndodhin në këtë qytet”.
Të dielën gjyqtarët e basketbollit kanë reaguar në mënyrë simbolike për shkak të sulmit ndaj kolegut të tyre.