Qendra De’Quon Lake nuk shënoi shumë pikë të mërkurën mbrëma. Por u bë hero i Bashkimit në fitoren e madhe në garat evropiane.
Lake e ndali me bllokadë tentimin e fundit të Jaime Echeniques së Pallacanestro Reggianas dhe kjo bëri që Bashkimi të fitojë me një pikë dallim, 77:76. Ndeshja u zhvillua të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Me fitoren e arritur në ndeshjen e xhiros së pestë të Grupit J të “FIBA Europe Cup”, Bashkimi ka rritur gjasat për të avancuar në rrethin tjetër të garës evropiane.
Sfida ishte jashtëzakonisht dramatike dhe u vendos vetëm në sekondat e fundit.
TJ Bickerstaff i Bashkimit i shënoi dy gjuajtjet e lira për 76:75, një minutë e 19 sekonda pa u mbyllur i gjithë takimi.
Mysafirët nuk shfrytëzuan aksionet që i patën, ndryshe nga Bashkimi që shënoi për 77:76 me Jeremiah Baileyn 11 sekonda para fundit.
Më meritori që shifrat nuk ndryshuan më ishte qendra Lake që ndali aksionin e fundit. Lake realizoi shtatë pikë, ndërsa kishte dy kërcime dhe një bllokadë.
Statistikat më të mira në fitoren e madhe të prizrenasve i pati TJ Bickerstaff me 18 pikë e plot 13 kërcime. Kontribut në fitore dha edhe Kyan Anderson me 17 pikë, katër kërcime e gjashtë asistime. Prej vendorëve më i miri ishte Lejson Zeqiri me 10 pikë, shtatë kërcime e një asistim.
Për Bashkimin ishte fitorja e dytë në grup dhe tani barazohet me Pallacanestro Reggianan me nga dy fitore e tri disfata.
Dijoni dhe Cibona kanë nga tri fitore e dy humbje, por Bashkimi ende është në garë për avancim tutje.
Vetëm fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë më të mirat e vendeve të dyta kalojnë në rrethin tjetër të garës.
Nënkampioni i Kosovës, Bashkimi, luajti dy çerekë shumë të fortë në pjesën e parë. Të parin e fitoi 24:17, ndërsa të dytin e humbi 26:17.
Skuadra italiane pati epërsi prej dy pikëve pas pjesës së parë, 43:41.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri Igor Jovoviq luajti shumë mirë edhe në periudhën e tretë që e fitoi 22:21.
Por ishte periudha e katërt ajo që e vendosi sfidën.
Bashkimi në duelin e parë të grupit u mposht 93:79 nga Cibona në ndeshjen e parë, ndërsa nga Reggiana në duelin e dytë humbi thellë 100:65. Dijon Basketi e mposhti 83:74, ndërsa fitore historike arriti në xhiron e katërt, 89:69, ndaj Cibonës kroate.
Ndeshja e fundit e fazës grupore për Bashkimin do të jetë më 19 nëntor në udhëtim te Dijon Basketi.
Bashkimi luajti në raundin kualifikues ndaj Anwilit polak dhe u mposht. Por, avancoi në fazën grupore si njëra prej ekipeve më të mira humbëse. Tani e ka një tjetër shans për të kaluar tutje.
Bashkimi nuk e ruan epërsinë, po humb pas pjesës së parë
Bashkimi ishte në epërsi për pjesën më të madhe të çerekut të parë dhe të dytë.
Por tre minuta para se të mbyllej pjesa e parë, nuk e ka ruajtur epërsinë dhe është duke humbur nga skuadra italiane Pallacanestro Reggiana. Prizrenasit madje kishin epërsi edhe deri në dhjetë pikë.
Ndeshja e së mërkurës mbrëma po zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe është e pesta e Grupit J.
Bashkimi e fitoi çerekun e parë 24:17, ndërsa ishte në epërsi deri afro tre minuta pa u mbyllur pjesa e parë.
Treshja e Tomas Woldetensaes së mysafirëve e kaloi Pallacanestro Reggianan në epërsi, 37:35.
Woldetensae e mbylli pjesën e parë me 15 pikë e një kërcim.
Lejson Zeqiri më pas i barazoi shifrat në 37:37, por mysafirët u shkëputën në rezultat dhe në pushim shkuan me dy pikë dallim, 43:41. Zeqiri i shënoi tetë pikë e tri kërcime në pjesën e parë. Shifrat më të mira te skuadra prizrenase i pati TJ Bickerstaff me nëntë pikë e nëntë kërcime.
Bashkimi në katër ndeshjet e para e ka një fitore e tri disfata, ndërsa Pallacanestro Reggiana ka dy fitore e dy humbje.
Në rast të fitores, Bashkimi do të mbetej në garë për të avancuar nga faza grupore.