Basketboll

Bashkimi fiton superndeshjen, kthehet në garë për titull të kampionit

Trepça

Bashkimi i Prizrenit e ka fituar ndeshjen dramatike ndaj Trepçës. Të dielën mbrëma në palestrën “Seza Surroi”, Bashkimi fitoi me rezultat 85:77.

Me fitore, Bashkimi është kthyer në garë për titull të kampionit. Tani e ka ngushtuar në 3:2 rezultatin në serinë finale të plejofit. Ndeshja e radhës është të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepçës i duhet edhe një fitore për titull të kampionit, ndërsa Bashkimit dy. Nëse të mërkurën barazohet rezultati në 3:3, ndeshja e shtatë dhe vendimtare do të luhej të dielën e javës së ardhshme në Prizren.

Si shumica e finaleve të tjera, sfida e së dielës u vendos vetëm në dy minutat e fundit. 1:56 minuta para fundit epërsia e Bashkimit ishte vetëm një pikë, 78:77. Dirk Williams më pas realizoi për 80:77. Trepça e humbi aksionin vijues dhe Williams shënoi dy pikë të tjera me asistim të bukur të Valon Bunjakut. Mitrovicasit sërish nuk shënuan, ndërsa fundori Bunjaku me tri gjuajtje të lira vendosi rezultatin përfundimtar, 85:77.

Bunjaku shkëlqeu te Bashkimi me 15 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime. Nuk e kishte asnjë top të humbur, ndërsa kontribuoi edhe me një top të rrëmbyer e një bllokadë. Kontribut të madh dha edhe Mack Smith me 19 pikë, katër kërcime, katër asistime e tre topa të rrëmbyer. Williamsi i shtoi 14 pikë, ndërsa nga 11 i shënuan Wendell Green e Jayveous McKinnis. Tetë pikë i shtoi Samir Zekiqi.

Te Trepça më i miri ishte Michael Green me 23 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Tekele Cotton i kishte 12 pikë, ndërsa Junior Madut i realizoi 10 pikë e pesë kërcime.

Bashkimi e fitoi ndeshjen e parë të serisë finale, ndërsa më pas Trepça “lidhi” tri fitore. Ndër të tjera e fitoi ndeshjen e tretë, që u zhvillua në Prizren. Dhe për këtë arsye e ka përparësinë e terrenit në ndeshjen e ardhshme, që mund të jetë e fundit.

Trepça po e kërkon titullin e gjashtë në histori. Bashkimi po e kërkon të dytin. Titullin e vetëm deri më tani prizrenasit e kanë fituar në vitin 2018. Ndërkohë Trepça është kampione në fuqi. Trepça këtë edicion ka fituar Kupën dhe Superkupën e Kosovës.