E mbushur me basketbollistë amerikanë, shumë prej tyre të shtrenjtë, Superliga e Kosovës vlerësohet goxha shumë në regjion.
Nëse për asgjë tjetër, për paratë që marrin lojtarët dhe për atmosferën që krijojnë tifozët, ndonëse momentalisht është pak më zbehtë.
Për Superligën e Kosovës në basketboll së fundi në mediat kroate ka folur Henrik Shirko. Ai është kthyer në Kroaci, pas disa vjetësh në basketbollin kosovar.
Shirko po luan për skuadrën Zabok. Në Kosovë ishte te Peja, Ylli, Prishtina e Bora.
“Më vjen mirë që Cibona këtë edicion luajti me Bashkimin, që nuk është skuadra më e fortë në Kosovë, dhe kemi parë se si Cibona kaloi si mysafire, në palestrën e mbushur. Në Kosovë palestrat janë plot, presioni është i madh, shumë investohet në basketboll, pritet rezultati dhe kjo më ka tërhequr. Liga e atjeshme i ka tetë ekipe dhe nga viti në vit liga është më e barabartë, secili mund ta mposht secilin. Kanë të drejtë në pesë të huaj, prej të cilëve tre mund të jenë në parket. Marrin trajnerë nga liga turke, ish-selektori i Bosnjë-Hercegovinës, Adis Beqiragiq, është atje gjashtë edicione. Shumë trajnerë tanë janë në Kosovë apo ishin në të kaluarën. Të huajt që luajnë atje janë më kualitativ se të huajt në kampionatin e Kroacisë. Dallimi më i madh mes ligës kosovare dhe ligës sonë është që klubet atje kanë shumë shikues, ka shumë dëshirë për ta blerë biletën. Ne nuk i kemi ato ndeshje që priten, atje i kanë”, ka thënë Shirko për “Sportske Novosti”.
Basketbollisti kroat ka folur për emocionet që ka përjetuar në Kosovë.
“Fiton trofe dhe pas teje janë 1500 shikues në palestrën mysafire me kapacitet prej 3000 ulëseve. Më pas në festë rreth teje janë 8000 njerëz. Kjo më tërhoqi, nuk ka të bëj me kontratën”.
Ai ka konfirmuar që pagat në Kosovë janë dukshëm më të mëdha se në Kroaci.
“Është e dhimbshme që më mirë është të shkosh të luash në Kosovë apo në Rumani, se të qëndrosh në Kroaci. Por lojtarët duhet të gjejnë rrugën e tyre”, ka thënë Shirko.
Ndonëse Shirko nuk e ka thënë, investimet në basketbollin kosovar janë marramendëse, por pjesa më e madhe e parave, që janë të shtetit, përfundojnë te lojtarët e trajnerët e huaj. Ka shumë njohës që vlerësojnë se basketbolli kosovar thuajse nuk përfiton asgjë nga kjo, por popullaritetit të përkohshëm. Këtë e dëshmon edhe niveli gati inferior i përfaqësueses së Kosovës në basketboll.