Zhang Ziyu është basketbollistja e talentuar 18-vjeçare e Kinës që po i bën të gjithë për vete. Ajo debutoi për përfaqësuesen A të Kinës të premten e kaluar në fitoren bindëse ndaj Bosnjë-Hercegovinës, 101:55. Ndeshja ishte miqësore, ndërsa i shërbeu Kinës për përgatitje për Kampionatin e Azisë.
Në ndeshjen e parë për ekipin më të mirë të Kinës, Ziyu i kaloi në parket vetëm 12 minuta, ndërsa i realizoi 18 pikë e shtatë kërcime. Ishte më efikasja e ndeshjes.
Ka disa vjet që Zhang Ziyu tërheq vëmendjen për shkak të gjatësisë. Ajo është e gjatë të paktën 220 centimetra, ndërsa ka raportime të ndryshme për gjatësinë e saj deri në 226 centimetra.
“Kjo është ndeshja e parë e saj si reprezentuese seniore. Paraqitja e Ziyu na ka impresionuar. Shpresoj se do të luaj më shumë me të”, ka thënë Han Xu, basketbollistja kineze e gjatë 2.11 metra, që po ashtu shkëlqeu ndaj boshnjakeve.
Zhang Ziyu e ka luajtur ndeshjen e parë profesionale në moshën 14-vjeçare. Në finale të kampionatit kinez për të reja i realizoi 42 pikë e 25 kërcime. I kishte edhe gjashtë bllokada. U bë më e njohur verën e kaluar kur me Kinën arriti në finale të Kupës së Azisë U18. Ndonëse finalen e fitoi Australia, Ziyu ishte më e mira e turneut me mesatare prej 35 pikëve për ndeshje.
Nëna e saj, Yu Ying, ishte e gjatë 198 centimetra. Babai i saj, Zhan Yuquan ishte i gjatë 213 centimetra. Të dy kanë luajtur basketboll, por nuk kanë arritur nivelin që tashmë e ka vajza e tyre.
Kina luajti miqësore me Bosnjë-Hercegovinën edhe të dielën. Fitoi 124:57, ndërsa 18-vjeçarja i realizoi 16 pikë dhe shtatë kërcime. Sërish kaloi pak minuta në parket.
“Ajo është lojtarja më e mirë që kam parë ndonjëherë. Është lidere në përfaqësuesen kineze”, ka thënë selektori i Bosnjë-Hercegovinës, Emir Halimiq. “Prezenca e saj dikton tempin e lojës. Pres që ajo të jetë edhe më e suksesshme me Kinën. Edhe pa Zhangun, Kina është shumë e fortë. Por me Zhangun është në nivel dukshëm më të lartë. Secili ekip në botë do të jetë në telashe përballë Zhangut dhe Kinës. Uroj që ajo të mbetet e shëndetshme dhe t’i sjellë vendit të saj shumë lavdi”.
Sa herë që Zhang Ziyu e merr topin në afërsi të koshit, kundërshtaret e kanë të pamundur ta ndalin, përkundër përpjekjeve. Ajo jep kontribut edhe në mbrojtje, ndërsa zakonisht shihet e buzëqeshur.
Selektori i Kinës pret që Zhang Ziyu ta udhëheqë përfaqësuesen drejt suksesit në Lojërat Olimpike të vitit 2028. Në Kampionatin e Azisë që mbahet muajin e ardhshëm, Kina është favorite.
Zhang Ziyu is now 18 and just made her senior national team debut for China
She’s up to 7’5”pic.twitter.com/4MiGADUkml