Sipas raportit më të fundit të agjencisë Interbrand, gjiganti japonez Toyota është shpallur sërish marka më e vlefshme e veturave në botë, duke lënë pas Mercedesin, BMW-në dhe Teslan.
Vlera e markës Toyota në vitin 2025 është rritur me 2 për qind, duke arritur në 74.2 miliardë dollarë, çka e rendit atë në vendin e gjashtë në listën botërore të të gjitha markave, menjëherë pas Apple, Microsoft, Amazon dhe gjigantëve të tjerë teknologjikë.
Interbrand thekson se sektori i automobilizmit po tregon “qëndrueshmëri të jashtëzakonshme” pavarësisht sfidave të tregut, dhe rritja e Toyotës dëshmon për besimin e vazhdueshëm të klientëve ndaj një marke që ka ndërtuar reputacion për besueshmëri, teknologji të përballueshme dhe praninë e gjerë globale gjatë dekadave.
Në vendin e dytë është Mercedes-Benz, i cili zë vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme, me një vlerë prej 50.1 miliardë dollarësh – një rënie prej 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Në vendin e tretë është BMW, në pozicionin e 14-të globalisht, me një vlerë prej 46.8 miliardë dollarësh, që paraqet rënie prej 10 për qind.
Befasia më e madhe negative në listë është Tesla, e cila mbetet në vendin e katërt, por me një rënie të ndjeshme prej 35 për qind të vlerës së markës, në 29.5 miliardë dollarë.
Sipas Interbrand, arsyeja kryesore është “rritja e konkurrencës në tregun e automjeteve elektrike” dhe ngushtimi i diferencës midis modeleve të Teslas dhe konkurrentëve të rinj si BYD, Hyundai, Kia dhe Volkswagen.
Në listën e 100 markave më të vlefshme në botë janë përfshirë gjithashtu: Honda (vendi i 29-të), Hyundai (30), Audi (52), Ferrari (54), Volkswagen (56), Porsche (57), Nissan (82), Kia (89), BYD (90) dhe Range Rover (97).
Kompania kineze BYD është shfaqur për herë të parë në këtë listë këtë vit, me një vlerë prej 8.1 miliardë dollarësh.
Lista:
1. Toyota – 74,2 miliardë dollarë
2. Mercedes-Benz – 50,1 miliardë dollarë
3. BMW – 46,8 miliardë dollarë
4. Tesla – 29,5 miliardë dollarë
5. Honda – 24,8 miliardë dollarë
6. Hyundai – 24,6 miliardë dollarë
7. Audi – 15,4 miliardë dollarë
8. Ferrari – 15,4 miliardë dollarë
9. Volkswagen – 15,0 miliardë dollarë
10. Porsche – 15,0 miliardë dollarë