Drejtori i Termocentralit Kosova A ka dëshmuar në rastin ku ish-kryeshefi Nagip Krasniqi akuzohet për korrupsion. Remzi Beshiri i tha gjykatës se anulimi i tenderit për riparimin e kaldasë me kompaninë “Litwin” pati efekte mbi punëtorët e KEK-ut, duke ia shtuar vëllimin e punëve, por edhe duke i ballafaquar ata me rreziqe. Por theksoi se nuk pati kurrë presion nga Nagip Krasniqi
Remzi Beshiri, drejtor i Termocentralit Kosova A i ka thënë Gjykatës Themelore në Prishtinë se pas anulimit të tenderit për riparimit të kaldasë së bllokut A5, punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) u detyruan t’i rrezikonin jetët e tyre për të bërë riparime urgjente.
Ai ka dhënë dëshminë e tij në rastin ku ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, e ish-shefi i prokurimit në këtë ndërmarrje, Ymer Dragusha, akuzohen për korrupsion, ndërsa avokati Isuf Zejna, për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
“Faktikisht me punëtorët tanë, me disa furnizime që kemi mundur t’i bëjmë brenda dy muajve nga vetë punëtorët tanë, furnizime të vogla, por, problemi kryesor ka qenë te tejnxehësi i murit që prej kuotës 33 deri 40 ka qenë i zhvendosur, s’kemi mundur të punojmë ashtu. Na është dashur ta punojmë një skele komplet – me mundësi vetanake dhe kemi punuar me kujdes të shtuar. Mirëpo, kur e kemi lëshuar kaldajën, deri tash para një muaji kemi punuar me kujdes të shkuar”, ka thënë Beshiri. “Faktikisht edhe vetë kemi rrezikuar edhe jetën, por kemi bërë një zgjidhje emergjente”.
Beshiri tha se nuk pati kurrë presion nga Nagip Krasniqi.
E kur u pyet për efektet e mosriparimit të kaldasë ai e përmendi punën e pandalur të punëtorëve si në bllokuar A5, ashtu edhe në njësitë e tjera të termocentralit.
“Ne kemi pasur, jo vetëm unë por të gjithë punëtorët e KEK-ut, kemi pasur punë 24 orë dhe falë atij angazhimi e asaj pune edhe pse s’e kemi pasur atë njësi, kemi punuar me dy njësitë e tjera më shumë”, ka thënë ai.
Beshiri tha në gjykatë se kompania “Litwin” që iu dha kontrata për riparimin e kaldasë kërkoi që të shtyhet afati i kryerjes së punëve përtej asaj që e kishin negociuar në fillim.
Arsyetimi i kompanisë, sipas tij, ishte që shkaku i luftës së Rusisë në Ukrainë nuk ishte e mundshme të furnizoheshin me materiale me kohë.
Beshiri i tha gjykatës se në komunikimet me kompaninë “Litwin” merrte pjesë edhe vetë kryeshefi Nagip Krasniqi, por sipas tij, ai asnjëherë nuk i ka bërë presion për ta përzgjedhur ndonjë kompani të caktuar.
Në aktakuzë thuhet se meqë në periudhën korrik 2022 - maj 2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, KEK-u u detyrua që të importojë energji elektrike në vlerë prej mbi 36.3 milionë eurosh.