Kanë vazhduar polemikat dhe akuzat ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë pas deklaratave të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se është diskutuar për hapjen e të gjitha arkivave, përfshirë ato rreth UÇK-së. Ndërkaq, zyrtarë të Arkivit kanë thënë se nuk ka asnjë dokument sekret në këtë institucion, teksa kanë treguar për hulumtimet që kanë bërë edhe zyrtarët e EULEX-it, para dy vjetësh.
Reagime të shumta ka nxitur çështja për të cilën u tha se pati për një moment dakordim, i cili parasheh hapjen e të gjitha arkivave në Kosovë e Serbi. Përmendja e UÇK-së në kontekst të dokumenteve që mund t’i ketë arkivuar për periudhën e luftës e pas saj, bëri që opozita ta akuzojë qeverinë se ia hapi dyert Serbisë për t’i futur duart edhe aty.
Drejtues të arkivit kanë mohuar se brenda institucionet të tyre ka dokumente sekrete rreth UÇK-së.
“Ne asnjë dokument të vetëm nuk e kemi konfidenciale nën embargo që duhet ruajtur, apo që nuk është i qasshëm për të interesuarit jashtë. Arkivi jo vetëm tani, por prej fillimit ka qenë i hapur, flas pas luftës, sepse ne nuk kemi materiale të natyrës sensitive”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Arkivit, Bedri Zyberaj.
Sipas tij, aty është edhe një fond i veçantë prej 65 kutive për TMK-në, të cilin e kanë hulumtuar edhe zyrtarë të EULEX-it në vitin 2018.
Burime të “KOHËS” kanë thënë se javën e ardhshme zëvendëskryeministri Bislimi do ta vizitojë Arkivin e Kosovës.
Pas kthimit nga Brukseli, ai tha se për një moment Serbia është pajtuar për hapjen e të gjitha arkivave, përfshirë ato ushtarake. Sipas tij, Serbia ka nxjerrë pretendime për arkivat e UÇK-së, duke iu referuar një fusnote në librin e veprimtarit Nusret Pllana.
Teksa ka kritikuar qeveritarët e Kosovës për qasjen në dialog kur vjen puna tek të pagjeturit, Pllana ka deklaruar se vetëm në fletën parë i referohet sektorit të arkivit për UÇK-në pranë arkivit shtetëror.
“Vetëm në fletën e parë përmendet Arkivi shtetëror i Kosovës, përkatësisht sektori i arkivit të UÇK-së. Nuk ka vend të botës që nuk është promovuar ky libër dhe për këtë arsye i dhemb Serbisë, sepse i sheh krimet që i ka bërë”, ka thënë ai.
Arkivat e UÇK-së përmenden edhe në projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, i iniciuar nga PDK-ja, por që ka dështuar të miratohet në Kuvend.
Sipas nenit 3 të projektligjit, vlerë e luftës konsiderohet edhe Arkiva e UÇK-së. Iniciuesi i projektligjit, ish-deputeti Gazmend Bytyqi, duke i reaguar deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila ka thënë se me fjalën “arkiv” kanë nënkuptuar çfarëdo dokumenti, ose relikti historik, që mund të bëhet bashkë, në kuptimin e ruajtjes së një epoke të lavdishme.
Në debat është përfshirë edhe kryesuesi i delegacionit kosovar për çështjen e të pagjeturve, Andin Hoti.
“Është absurd me mendu në radhë të parë që ne themi diçka që nuk ekziston, sepse arkivat e UÇK-së, ne e dimë që nuk ekzistojnë, me aq sa dimë ne ato nuk ekzistojnë. Ne e dimë që lufta e fundit në Kosovë e ka pasur vetëm një shtet dhe jo dy shtete, ai shtet ka qenë Serbia, Serbia ka pasur struktura të organizuara shtetërore të policisë dhe ushtrisë që i ka bërë këto krime, masakra në Kosovë. Kosova në këtë rast e ka nxjerrë një ushtri çlirimtare të Kosovë prej popullit të saj për me mbrojt popullin e saj, dhe kapacitetet e UÇK-së kanë qenë zero për me pas arkiva të saj me ruajt të dhëna të saj”, ka thënë Hoti.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se deklaratat për hapjen e arkivave dëmtojnë të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Hagë.
“Mund të shfrytëzohet si armë nga ana e prokurorisë të gjyqit ndaj tyre ku të gjithë e dimë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë organizatë e cila ka qenë e organizuar dhe e cila ka pasur një zinxhir komandues në tërë Kosovës. Përmes kësaj që ka pranuar Bislimi një të vërtetë e ka shtrembëruar duke përçuar mesazhin në publik apo te pala serbe se Kosova ka pasur arkiv dhe UÇK-ja ka qenë një ushtri e rregullt dhe ka arkivuar të gjitha ato se çfarë kanë ndodhur gjatë luftës”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të premten se Kosova përfundimisht ka pranuar ekzistencën e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.