Arbëri

Zvarritja e projektit të “Efiçiencës” në Lipjan, nxit reagimin e kuvendarëve nga pushteti e opozita

Që nga viti i kaluar po zvarritet finalizimi i projektit të “Efiçiencës” për riparimin e disa objekteve të vjetra në qytetin e Lipjanit.

Ky projekt po realizohet me bashkëfinancim të komunës me organizata të huaja në vlerë prej rreth gjysmë milioni euro.

Zvarritja e këtij projekti ka nxitur reagimin e kuvendarëve në Lipjan.

Shahadije Bikliqi, kuvendare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ky projekt ka nisur në kohë të fushatës për përfitime politike.

“Projekti pati nisur pa qenë fare gati implementimi i tij, por kjo ka ndodhur në fushatë për poena politikë. Kurse prej atëherë po zvarritet si projekt. Kjo ka sjellë shumë telashe sidomos gjatë reshjeve atmosferike pasi që gjatë kohës së temperaturave të ulëta janë përballur edhe me ujëra nga shirat që kanë depërtuar brenda banesave për çka një familjes i është bërë i pamundur banimi”, ka thënë Bikliqi.

Sipas saj, gjatë punimeve janë larguar dritaret e vjetra ndërsa ato të rejat me muaj nuk janë vendosur.

“Këto ankesa nuk janë marrë parasysh nga zyra e kryetarit të komunës, megjithëse e kemi ngritur edhe në Kuvend si shqetësim i qytetarëve”, ka thënë Bikliqi.

Ndërkaq, rreth kësaj çështje shqetësime në mbledhjen e fundit ka pasur edhe nga kuvendarja e LDK-së Majlinda Sylejmani.

“Ajo që desha me ngritë ka të bëjë me projektin e renovimit të tri objekteve banesore në komunën e Lipjanit. Është një projekt jashtëzakonisht i mirë për banorët e këtyre objekteve por besoj që shumica e kanë parë që ka përfunduar objekti te semaforat dhe përballë shkollës fillore ‘Vëllezërit Frashëri’. Ajo çka po më intereson të di se kush ka qenë përgjegjës nga Komuna për t’i mbikëqyrur këto punime pasi që objekti te sheshi ‘Adem Jashari’ ka pasur një ngadalësim të punimeve dhe fatkeqësisht edhe disa pjesë të jashtme kanë një kualitet të dobët të punimeve”, ka thënë Sylejmani.

Ajo ka kërkuar se kush po i përcjellë këto punime.

“Tani jemi në stinën e pranverës dhe është një nevojë e madhe që banorëve në ato objekte t’u largohen sa më shpejtë skelet të cilat i kanë pranë dritareve dhe ballkoneve”, ka thënë Sylejmani.

Ndërkaq në anën tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se me renovim e këtyre banesave kanë pasur telashe për shkak të tarracave pa leje dhe për shkak të kabllove të ndryshme të televizioneve private të internetit.

“Objektin në shesh e kemi përuruar me qëllim që ishte e domosdoshme në kohën e festave dhe periudhës së mërgimtarëve, ndërkaq pjesa tjetër është duke vazhduar por edhe te objekti tjetër afër shkollës kemi disa probleme me disa tarracave pa leje. Nuk e kemi pasur ndihmën e mjaftueshme të banorëve të cilët janë zotuar se do t’i largojnë trasat gjatë renovimit në mënyrë që projekti të përfundoi sa më shpejt, por po besoj se jemi kah fundi i projektit dhe disa tarracave kanë mbetur ende siç ishin, disa janë demoluar por deri në fund të projektit besoj se do të gjendet zgjidhje për ta përmbyllur sa më shpejtë atë projekt”, ka thënë Ahmeti.