Arbëri

Zvarritet projekti i dy rrugëve “Qamil Ilazi” e “Sali Bajra” në Kaçanik

Prej disa muajsh po vazhdon të zvarritet projekti i asfaltimit të rrugës “Qamil Ilazi dhe Sali Bajra” në qytezën e Kaçanikut. Ky projekt ka qenë më i përfoluri gjatë periudhës së fundit derisa hyrja e shkollës fillore “Emin Duraku” ishte bllokuar nga punimet. Banorët po kërkojnë që rrugës t’i bashkëngjitet edhe projekti i trotuarit dhe ai i ndriçimit publik.

Valdet Raka, banor i Kaçanikut ka thënë se projekti është i zvarritur, andaj komuna duhet ta përfundoi sipas dinamikës së planifikuar me kontratë.

“Që nga fundi i muajit gusht dhe deri më tash, po zhvillohen punimet në rrugët ‘Qamil Ilazi’ dhe ‘Sali Bajra’, të cilën shumë qytetarë dhe biznese janë ankuar rreth zvarritjes së punimeve. Vlen të përmendet që pas reagimeve të shumta është asfaltuar, mirëpo trotuaret ende nuk kanë përfunduar dhe kjo po paraqet rrezik për qytetarët e sidomos për fëmijët. Deri më tash, nuk kemi qëndrim zyrtar nga zyrtarët komunalë rreth datës se kur do të përfundojnë punimet, por shqetësimet e qytetarëve vazhdojnë të jenë aktive”, ka thënë Raka.

Ndërkaq edhe përfaqësuesi i një biznesi në këtë rrugë i cili nuk deshi t’i përmendej emri në gazetë, ka thënë se zvarritja e punimeve ka sjellë vështirësi në qarkullim por edhe zvogëlim të të hyrave.

“Kemi pasur telashe me sjellë mallin nëpër lokale, pastaj shkaku i punimeve ka pasur shumë më pak qarkullim sidomos në fund të sezonit veror. Për neve si biznese është mirë që sa më shpejtë të ndërtohej edhe trotuari dhe të përfundoi si projekt”, ka thënë njëri nga përfaqësuesit e bizneseve në rrugën “Qamil Ilazi”.

Në anën tjetër Ramadush Osmani, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Kaçanikut ka thënë se projekti është duke vazhduar sipas dinamikës së planifikuar megjithëse ka pasur pak vonesa shkaku disa procedurave. Sipas tij në këtë projekt deri më tash mbi 90 për qind e punimeve kanë përfunduar.

“Ky projekt është në përfundim e sipër, por aktualisht ka mbetur vetëm pjesa e kubëzave dhe trotuaret. Pra, ky projekt përfshinë edhe trotuari, ndërkaq ndriçimi publik është ekzistues por në kuadër të këtij projekti ne i kemi vendosur edhe kabllot nëntokësore në mënyrë që KEDS-i ta ketë gati rregullimin e instalimit. Pra, punimet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme dhe po besojmë se shumë shpejtë do të përfundojnë ato”, ka sqaruar Osmani.

Projekti ka vlerë financiare rreth 260 mijë euro.