Këshilltari i kryeministrit në detyrë, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se është kompromis politik nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti tërheqja e tij dhe propozimi i Glauk Konjufcës si mandatar i ri.
Zulfaj në emisionin “60 Minuta” në KTV, tha se edhe ofertat për bashkëpunim ndaj partive të tjera dihen, andaj sipas tij, nuk mund të konsiderohen si bllokuese.
“Ne i kemi shfaqur preferencat për koalicion mirëpo kjo nuk ka rezultuar me koalicion dhe tani jemi në këtë situatë çfare jemi. Veprimi i radhës është marrja e mandatit. Duhet të shihet siç tha edhe mandatari i dytë Konjufca që duhet të shihet si kompromis i radhës nga fituesi që të tërhiqet kryetari i LVV-së, kryeministri aktual nga kandidatura për kryeministër të radhës duke ia lënë radhën një kandidati tjetër. Ky është kompromisi i radhës nga fituesi i zgjedhjeve. Ne i kemi bërë ftesë njërës nga partitë mirëpo nuk ka rezultu me koalicion”, deklaroi Zulfaj duke mos treguar nëse i kanë numrat tashmë me mandatarin e ri.
Zulfaj fajëson opozitën për situatën në të cilën ndodhet vendi. Sipas tij, nëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, do të zgjidhej më 15 prill dhe nuk do të bëhej gjithë ajo bllokadë, qysh atëherë do të propozohej një qeveri e re dhe afatet do të rrjedhnin sikurse tani por pa kaluar këta muaj.
“Përgjigja e shkurtë dhe e thjeshtë do të ishte që derisa nuk ka një qeveri të votuar në Kuvend, kemi një qeveri në detyrë dhe nuk ka konflikt të interesit sepse nuk mund të lihen vende të zbrazëta në qeveri, të braktiset qeveria derisa nuk ka dorëzim të një qeverie. Kryeminstri në detyrë ia dorëzon mandatin një kryeministri të ri në momentin që ai zgjidhet në Kuvend. Duket që kishte praktikë prej më herët nëse nuk gaboj. Ky komplikim është përgjegjësi e përbashkët dhe duhet parë se si kanë rrjedhë afatet dhe ne jemi munduar të japim zgjidhje qysh në momentin e parë më 15 prill kur është thirrë seanca e Kuvendit duke e propozuar menjëherë kryetarin për Kuvend. Ne do të duhej të zgjidhnim qeverinë. Nëse kryetari i Kuvendit do të zgjidhej më 15 prill dhe nuk do të bëheshin të gjitha ato ‘sallta’ e gjithë ajo bllokadë për të zgjedhur prapë një kryetar të Kuvendit nga grupi më i madh parlamentar. Nëse nuk do të humbej gjithë ajo kohë ne do të propozonim një qeveri qysh me 15 prill dhe afatet do të rrjedhni sikurse tani që po i shohim të rrjedhin”, deklaroi Zulfaj.
Duke iu referuar Raportit të Progresit për Kosovës ku përmendet heqja e masave si rrjedhojë e bartjes së pushtetit te kryetarët e rinj serb të dalur nga zgjedhjet lokale, këshilltari Zulfaj tha se shpreson që ndërrimi i qeverisjes atje të shkoj qetë dhe duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Ajo çka thuhet në raport është transferi i rregullt i kryetarëve. Nuk do të duhej të dyshohej që një nga demokracitë më të avancuara të rajonit dhe këtë e thotë vet BE-ja në të gjitha organizatat kredibile që nuk do të kishte tranfert të rregullt të pushtetit. Pse do të duhej të kishte dyshime. Ne shpresojmë që transferi të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Një transfer jo i rregullt do të ishte një transfer i cili nuk i respekton ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës por masat nuk do të duhej të mbaheshin nëse nuk ka respektim të ligjeve në fuqi nga kryetarët të cilët do të instalohen”, deklaroi Zulfaj.
Ndërkohë për plagosjen dhe rrëmbimin e qytetarit serb brenda territorit të Kosovës, Zulfaj tha se kjo do të duhej të shihej edhe nën dritën e Bashkimit Evropian karshi Serbisë e cila vazhdimisht ka shkuar duke ecur prapa dhe prapa po e mban të gjithë rajonin.
Sa i përket Raportit të Progresit për Kosovën, Zulfaj tha se janë disa çështje urgjente që duhet të adresohen.
“Pakoja që e përfshin Planin e Rritjes, ajo duhet të kalojë shumë shpejt këto dy ligjet në mënyrë që të fillojë disbursimi dhe ne të fillojmë zbatimin e pakos sepse është afër 1 miliard shuma që duhet ta zëmë brenda një periudhe të caktuar dhe ne t’i kemi të gjitha mundësitë dhe instrumentet që ne ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë plan. Kemi edhe një pako që lidhet me CEFTA-n, janë tri protokolle të cilat janë përmendur edhe tek Raporti i Progresit e të cilat e lehtësojnë të bërit biznes”, deklaroi Zulfaj në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Në raport është theksuar se masat kanë pasur edhe ndikim financiar. Pas fillimit të heqjes graduale të masave, sipas raportit, katër projekte të asistencës teknike në mbështetje të investimeve të mundshme në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes janë riparaqitur dhe janë miratuar.