Komisioni profesional i Senatit të Universitetit të Prishtinës e ka nxjerrë të hënën listën e ngushtë të kandidatëve për rektor të këtij Universitetit, një nga të cilët mund ta zgjedhë Këshilli Drejtues. Në këtë listë nuk është edhe ish-kandidati i AAK-së për deputet, Zenun Halili, i cili shihej me gjasat më të mëdha për t’u vënë në krye të universitetit më të madh publik në vend.
Vendimi i Komisionit, të cilin e ka siguruar KOHA, përmban vetëm tre emra të kualifikuar për pozitën e rektorit të UP-së. Janë: Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti.
Ndërkohë ky komision, ka konstatuar se zgjedhja e Halilit në pozitën e rektorit do të ishte në kundërshtim me dispozitat e Nenit 18, paragrafi 1.1 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit publik dhe rrjedhimisht edhe me kërkesat e konkursit publik për rektor të UP-së.
Në numrin e sotëm, Koha Ditore ka raportuar se Halili nuk mund të zgjidhej rektor, në rast se UP-ja respekton dispozitat ligjore, të cilave më pas iu është referuar edhe vet komisioni i Senatit. Ai këtë muaj ishte dorëhequr nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së, për t’iu rrekur garës për rektor.
Por, bazuar në Ligjit për deklarimin, kontrollin dhe prejardhjen e pasurisë, anëtarët e Këshillit janë Zyrtarë të lartë. E, sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, zyrtarët e lartë nuk kanë të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese të institucionit ku e kanë ushtruar funksionin.
Në një përgjigje dhenë KOHËS, edhe Agjencia Kundërkorrupsion i ishte referuar këtyre normave, kur ka kumtuar se rastin e ka marrë në trajtim.
Halili nuk është i vetmi i diskualifikuar nga gara.
Komisioni i Senatit e ka diskualifikuar edhe Isuf Muslijan, por si arsye për këtë ka përmendur mos-kompletimin e CV-së.
Vendimin e plotë të komisionit mund ta gjeni më poshtë:
{gallery}