Arbëri

Zgjedhja e anëtarëve të komiteteve në KK të Shtimes përplas pushtetin me opozitën

Mbledhja e Kuvendit Komunal në Shtime, ka vazhduar të hënën, me përplasje ndërmjet pushtetit e opozitës, derisa po emëroheshin anëtarët e Kuvendit për Komitetin për Politikë e Financa dhe komiteteve tjera.

Për emërimet e mëhershme të anëtarëve për këto komitete edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i pati kthyer si vendime të kundërligjshme e për të cilat ka raportuar KOHA.

Ndërkohë në mbledhjen e së hënës në Komitetin për Politikë e Financa janë emëruar tre anëtarë nga PDK-ja, pastaj 2 anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje, një i pavarur dhe një nga LDK-ja.

Kryetari i komunës Qemajl Aliu, me këtë rast ka kritikuar kuvendarin e pavarur Reshat Mujota me arsyetime se është shkaktar për ndërprerjen e mbledhjes së kaluar.

“Nuk kisha pasur dëshirë që këtu dikush ta keqpërdor emrin e dikujt tjetër, andaj kisha pasur dëshirë që secili të flasë për vete dhe mos me kap peng dikë për ta përdorur. Ndërkaq, insistimet e mbledhjes së kaluar pikërisht nga ju zotëri Mujota e kanë bërë atë hallakam e cila ka qenë e turpshme dhe vazhdon të jetë e turpshme, sepse po bëhen katër muaj dhe për shkak të këtyre agjendave ne akoma nuk i kemi themeluar as komitetet obligative”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, kuvendari i pavarur Reshat Mujota kritikoi kryetarin Aliu për gjuhën ofenduese.

“Kur flitet për turp duhet ta mbajë ai që e bën. Nëse kam bërë turp unë reflektoj dhe e jap përgjegjësinë për turpin tim, por këtu nuk kam ardhur ta turpëroj askënd. Por mbaje veten me këto fjalë fyese, sepse je kryetar komune, prandaj nuk duhet të lëshohesh në këto fjalë, prandaj duhet me qenë më i kujdesshëm sepse je kryetar komune”, ka kritikuar Mujota.

Ai ka sqaruar se kryetari Aliu, në mbledhjet e kaluara ka synuar t’i largojë propozimet e caktuara të kuvendarëve për Komitetin për Politikë e Financa, ndërkohë në këtë mbledhje po të njëjtit individ po synon t’i caktojë në këtë komitet.

“Më vjen mirë që në këtë mbledhje po vinë vendimet e mia sepse në mbledhjen e parë keni qenë shumë kundërshtar për emrin e kuvendares së pavarur të cilën e kam propozuar për KPF, por sot është kënaqësi që këtë emër e propozoni vet dhe po i shoh se kush i mban parimet. Pra, kërkojmë arsyeje se pse e ndryshuat gjërat lidhur me emërimin e kuvendares së pavarur”, ka kritikuar Mujota.

Rexhep Gashi kuvendar nga Lëvizja për Bashkim në këtë mbledhje ka thënë se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve, megjithëse sqaron se ka pasur ftesë nga ekzekutivi për bashkëpunim. “Shpeshherë thirremi në interesa të qytetarëve dhe konform ligjit po shpeshherë nuk po ndodhin këto gjëra sepse po i “shikojmë” interesat personale . Interes personal nuk ishte që unë të futem në Komitet për Politikë e Financa, por vet takimi i subjekteve politike të cilat i përfaqësojmë nuk është thirrur askush nëpër grupe. Atë ditë kemi ardhur në përfundim që përfaqësuesit e subjekteve politike të cilët e kemi një përvojë e kemi parë që Komiteti për Politikë e Financa është një trup ndihmës i Kuvendit dhe kemi menduar se mund të japim një rezultat më të mirë”, ka thënë Gashi, duke sqaruar se nuk bën marrëveshje e as “pazare” politike me ekzekutivin për interesa personale. “Marrëveshjet nuk i bëj në zyre e as në kafe, pra unë nuk prishna për parime të marrëveshjeve por prishna vetëm për marrëveshje të qytetarëve, ta keni të qartë këtë. Për tetë vjet kam qenë pjesë e Kuvendit dhe asnjëherë nuk kam bërë marrëveshje me PDK-në megjithëse kam pasur ftesë , por e kam parë të arsyeshme se mund ta jap kontributin tim si opozitë. Por edhe tash nuk kam marrëveshje as me Lëvizjen Vetëvendosje, pra jam në LB dhe do të vazhdoj sepse këtu mund ta jap kontributin më të madh për qytetarët”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, Përparim Ramusa, kuvendar nga radhët e PDK-së, ka thënë se kryetari Aliu po e akuzon padrejtësisht opozitën për mosdhënie të kontributit të tyre.

“Në mbledhjen e kaluar na ke akuzuar për hallakama edhe për kabotazhe. Kryetar e ke parasysh që përballë vetes e ke vajzën e dëshmorit . Nuk mundësh ti e as unë ta duam këtë vend më shumë se vajza e dëshmorit. Pastaj, ke para vetës invalid të luftës, ke para vetës veteran e njerëz të tjerë që para luftës , gjatë luftës e pas luftës kanë dhënë kontribut të madh që askush nuk mund ta mohon, andaj tu kisha lutur që akuza të tilla mos i bën opozitës sepse nuk mundesh me dashtë këtë vend më shumë se të tjerët sepse ne i kemi përjetuar këto dhimbje në kohë të vështira”, ka kritikuar Ramusa.