Sipas analistit Adrian Zeqiri, mungesa më madhe është ajo e zëvendëskryeministrit aktual në detyrë, Besnik Bislimi. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Zeqiri tha se kjo tregon që raportet e tyre mund të jenë ftohur, marrë parasysh rolin e tij gjatë Qeverisë “Kurti 2”.
“Është parë një rritje enorme e dikastereve minsitrore, janë diku 20. Më duket vetëm 'Qeveria Mustafa' kishte ministri më shumë. Do t'i rrisë shpenzimet administrative, do t'i rrisë shpenzimet e buxhetit. Për mua mungesa më e madhe ishte mungesa e zv.kryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, duke marrë parasysh që ai ka qenë një ndër personat kyç në organizimin ndërministror. Në nivel të spekulimeve, nëse ke pasur një pozitë kaq të rëndësishme në qeverinë e kaluar dhe tani mungon fare, ka bazë të mendohet se raportet e tyre mund të jenë ftohur dhe më bën të mendoj se ekziston një thyerje e madhe mes tyre dhe kjo mund të ketë ndikim edhe në rezultat zgjedhor”, deklaroi Zeqiri.
Sipas analistit Zeqiri, në rast të shkuarjes në zgjedhje të reja, diskutabile do të jetë çështja e Nismës dhe AAK-së, sepse sipas tij çarja mes tyre gjatë këtyre muajve, do t’i detyrojë të garojnë me ndonjë parti më të madhe në mënyrë që të mos mbeten jashtë Kuvendit.
“Ndryshimi më i madh do të vjen se çka do të bëjë AAK-ja dhe Nisma. E kemi parë një çarje të madhe gjatë këtyre muajve mes këtyre dy partive. Mbetet diskutabile se a do të mundet AAK-ja e vetme ta kalojë pragun prej 5 për qind dhe me cilën parti Nisma do të mund të ribashkohej ose të lidhte koalicion parazgjedhor. Nismën nuk e shoh me LVV-në për shumë arsye. Nëse një parti politike vendosë të shkojë në koalicion parazgjedhor me LVV-në, nuk më duket se Nisma e Fatmir Limaj është një prej tyre. Nëse nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me AAK-në, më shumë e shoh ose me LDK-në ose me PDK-në, varësisht prej ofertave që mund t’i marrë nga këto dy parti politike”, deklaroi Zeqiri.
Megjithatë sipas Zeqirit është gabim shkuarja në zgjedhje të reja sepse qytetarët janë të dëshpëruar dhe kjo pritet ta ulë pjesëmarrjen e tyre në votime. Kësisoj sipas tij, çdo kalkulim i partive të mëdha, veçanërisht Kurtit për rezultate më të mira është i gabuar.
“Maksimumi i votave në një situatë jashtë pandemisë dhe një grupi të rrethanave që u gjindëm në vitin 2021, ky ka qenë maksimumi i LVV-së. Në një situatë normale në të cilën gjindemi tash, nuk do të sillte rezultate më të mira për Kurtin. Nëse bëjmë një analizë pak më të gjerë, shumë qytetarë janë të dëshpëruar për të gjithë procesin politik në Kosovë. Ajo çka mund të ndodhë në zgjedhje të ardhshme eventuale është të mos ketë pjesëmarrje sa ka pasur në shkurt të këtij vitit. Shumë qytetarë janë të dëshpëruar. Mospjesëmarrja në zgjedhje zakonisht ndikon në mënyrë proporcionale në partitë më të mëdha. Nëse 5 për qind ose 10 për qind e votuesve nuk marrin pjesë në zgjedhje, kjo përqindje i dëmton partitë më të mëdha sepse marrin vota më pak”, deklaroi në emisionin “60 Minuta” në KTV analisti Zeqiri.
Analisti Zeqiri propozoi një qeveri teknike me një marrëveshje politike në mënyrë që shteti të mos futet në krizë të thellë financiare si dhe të miratohen disa marrëveshje të rëndësishme për vendin, deri në pranverë kur skadon mandati i presidentes.