Asamblistët e LDK-së dhe ata të opozitës nga PDK-ja në Lipjan, shpeshherë bëhen bashkë për të marrë vendime të ndryshme e sidomos kur bëhet fjalë për shpenzime të luksit.
Ata së fundi kanë ndarë 8 mijë euro për t’i dërguar në ekskursion treditor punonjësit e administratës.
Kjo çështje po kundërshtohet nga banorët e Lipjanit.
“Krejt kanë nevojë të pushojnë, por diqysh në kohën e shtrenjtimeve të çmimeve, edhe njerëzit nuk kanë as bukë të hanë, andaj është dashur me ato para t’i ndihmojnë dikujt, ndonjë familjeje skamnore se tani Ramazan, edhe kryen punë sa të duash”, ka thënë Muhamet Bajrami.
“Më mirë është 8 mijë euro t’i ndajnë për rrugën këtu mbrapa që është prishur krejt ose t’i ndajnë për familjet skamnore pasi që është muaji i shenjtë i Ramazanit. Më mirë është për ata se sa për ata në Komunë që kanë të hanë tërë jetën”, ka shtuar Ardian Qorrolli.
“Mund t’ia sigurojnë ekskursionin vetëm një autobusi për rrugëtim, por jo të tjerat . Ato para, ka skamnorë e ka nevojli dhe ka ku t’i dërgojë edhe më sevap kish bërë ashtu se kështu”, ka thënë pensionisti Avdi Jashanica.
Shahadije Bikliqi, asambliste nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se PDK-ja ka lidhur koalicion në heshtje me pushtetin.
“Ne si grup i Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi kemi qenë kundër organizimeve të tilla duke menduar se këto organizime e rëndojnë edhe më shumë buxhetin e varfër të Komunës së Lipjanit”, ka deklaruar ajo.
Hyra Bytyqi, zëdhënëse e komunës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se sindikata e administratës së komunës organizon ekskursionin me mjete vetanake për punëtorë të administratës.
“Me kërkesë të sindikatës është vendosur që të mbështesim me mjete shtesë për realizimin e këtij ekskursioni. E që në bazë të vendimit të kuvendit me datë: 31/03/2022 mjetet të cilat nuk shpenzohen do t’i kthehen komunës, gjë që ka ndodhur edhe më parë”, thuhet në përgjigjen e saj..
Shefi i grupit të kuvendarëve nga PDK-ja, Arsim Jashari, ka thënë se PDK-ja e ka votuar këtë vendim për t’i përkrahur punonjësit e administratës.