Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “do të vijë dita kur serbët do të jenë në gjendje të veshin fanella serbe dhe të bartin flamuj serbë kudo dhe krejt të lirë”, tek i ka komentuar paralajmërimet e autoriteteve të Kosovës për shënimin e Vidovdanit në Gazimestan.
Të premten, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se tubimi i të shtunës për Vidovdan do të jetë masiv dhe se mund të shfrytëzohet nga pushteti në Serbi për të nxitur incidente në Gazimestan. Ai ka thënë se për këtë paralajmërim bazohet në vlerësimet e institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës. Ka shtuar se ka përpjekje që tubimi të jetë masiv dhe se janë organizuar grupe nga Serbia, Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina që të vijnë në Kosovë. Kurti ka kujtuar se tradicionalisht grupe të tilla kanë qenë provokuese dhe bartin simbole nacionaliste serbe e ruse.
E Vuçiqi ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që javë më parë shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës për shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që do të vijnë në Kosovë “që të mos i japin mundësi Kurtit për t’i arrestuar”.
“U kërkoj të rinjve e të rejave nga Serbia që do të shkojnë nesër në Kosovë që të mos i japin shans Kurtit për t’i arrestuar. E dini se sa serbë i kemi nxjerrë nga burgu dhe kemi pasur vështirësi në këtë”, ka thënë ai për “TV Pink” duke cituar edhe shembullin e djalit të tij, Danilo. Siç ka thënë ai, “do të vijë koha kur të gjithë do të mund të veshim fanella serbe e të bartim flamuj serbë kudo dhe tërësisht të lirë”.
Në arsyetimin e gjykatës është theksuar se komuna i ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi që e ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor, ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se tubimet për Vidovdan duhet të mbahen në përputhje me ligjin, “jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd”.
Tubimet e serbëve për shënimin e Vidovdanit rëndom janë siguruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Në Polici kanë njoftuar të premten se për ngjarjen e së shtunës janë planifikuar masa, në mënyrë që ajo të kalojë e qetë dhe pa incidente.
Vitin e shkuar, festimet e Vidovdanit në Gazimestan kanë kaluar pa ndonjë incident. Por, viteve paraprake ka pasur arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare, ndërsa më 2023, Vidovdani nuk është festuar në Gazimestan, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri.
Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili më 28 qershor 1989 nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”. Ky fjalim u pat parë nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që kanë pasuar në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.