Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq paralajmëron armatim, thotë se rrezikohet nga aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Aleksandar Vuciq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar më shumë armatim teksa është shprehur sërish pa fakte se Serbia rrezikohet nga aleanca ushtarake në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e forcave ushtarake serbe. Vuçiq ka thënë se ky propozon krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi dhe përdorimin e municioneve fluturuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Situata e sigurisë është disi më komplekse se në janar, kur ne e adresuam këtë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Përkushtimi jonë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin nuk ka ndryshuar, dhe mund ta mbajmë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë”, ka thënë ai.

Vuçiqi ka thënë po ashtu se në ditët në vijim Serbia do të nënshkruajë kontrata të prokurimit për armë e pajisje ushtarake.

Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila u tha se synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve mike. Përfaqësues të të tri shteteve kanë përgënjeshtruar se aleanca kërcënon Serbinë, por përkundër kësaj, Vuçiqi vazhdimisht e shpreh pretendimin.