Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është shumë i shqetësuar për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Duke folur para gazetarëve në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, Vuçiq theksoi se ende po pret përgjigje në pyetjen se pse po krijohet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Ai paralajmëroi se kjo është arsyeja pse Serbia do të investojë më shumë në mbrojtje.
“Me formimin e një aleance ushtarake të Kroacisë me Prishtinën dhe Tiranën, ne jemi seriozisht të rrezikuar dhe do të merremi me këtë çështje me shumë seriozitet. Së shpejti do të marr pjesë në kolegjiumin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes [të Serbisë] dhe do të vizitoj të gjitha fabrikat e industrisë ushtarake. Do të investojmë një shumë të madhe shtesë të parave në fabrikat e industrisë ushtarake”, tha Vuçiq, duke shtuar se nga tani e tutje “30, ndoshta deri në 40 për qind” e prodhimit ushtarak do të destinohet drejtpërdrejt për Serbinë.
Në mars të vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në paktin mbrojtës thuhet se tri shtetet do të bashkëpunojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Ministrat e mbrojtjes të tri vendeve mbajtën një takim më herët gjatë muajit shkurt, ku diskutuan për zbatimin e kësaj deklarate.
Ndërkaq, pas një takimi mes gjeneralëve të ushtrive të tri shteteve të mbajtur më 11 shkurt u tha se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët gjatë këtij viti.
Këtë deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, Vuçiq e ka përshkruar si “një aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë”.
Vuçiq po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, e cila është një nga mbledhjet më të rëndësishme ndërkombëtare gjeopolitike të vitit. Në konferencë marrin pjesë qindra udhëheqës dhe politikanë nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fokus i konferencës së këtij viti është e ardhmja e aleancës transatlantike dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në margjinat e konferencës, presidenti i Serbisë u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili i shprehu udhëheqësit serb pakënaqësitë e Brukselit për ligjet që janë miratuar së voni nga Beogradi sa i përket fushës së drejtësisë.
“Nëse Komisioni i Venecias jep komente negative, ne do të veprojmë në përputhje me to. Ne jemi një shtet i pavarur dhe sovran dhe hartojmë ligjet tona”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi, dhe njoftoi se në gjysmën e parë të këtij viti do të vizitojë Pekinin, ku do të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping. /REL