Në rrjetet sociale kanë nisur të publikohen fotografi dhe video të fletëvotimeve të plotësuara nga persona në diasporë, të cilët kanë nisur të votojnë përmes postës. Sipas juristëve, ata mund të ndiqen penalisht për këto veprime dhe mund të dënohen me burg deri në 6 muaj. E sipas analistëve politikë, publikimi i votës është strategji e subjekteve politike për të krijuar perceptimin se ato mbështeten në masë të madhe në diasporë.
Prej të enjtes kur ka nisur votimi në diasporë për zgjedhjet e 7 qershorit, në rrjetet sociale ka filluar edhe publikimi i fletëvotimeve të plotësuara, të cilat në Kosovë do të kthehen përmes postës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoJanë mbi 105 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit e që janë regjistruar që të votojnë përmes postës, nga 22 shtete të ndryshme.
Në videot e publikuara në platformat sociale, Facebook, Instagram dhe Tik-tok shfaqen edhe persona teksa mbushin këto fletëvotime.
Në disa prej tyre pos votës për partinë, janë publikuar edhe votat për kandidatët për deputetë.
Ky veprim hyn në kuadër të veprave penale.
Neni 205 i Kodit Penal përcakton se kushdo që në zgjedhje cenon fshehtësinë e votimit, dënohet me burgim deri në 6 muaj.
Ndonëse këta persona jetojnë jashtë territorit të Kosovës, juristi Ardian Bajraktari thotë se nuk janë imunë nga ndjekja penale.
“Nga ndjekja penale nuk janë të përjashtuar as personat që ndërmarrin veprime të tilla e që ndodhen jashtë territorit të Kosovës sepse edhe Kodi Penal, por edhe marrëveshjet e bashkëpunimit e mundësojnë ndjekjen, prandaj është mirë që qytetarët t’i shmangin veprimet e tilla, sepse në të kundërtën lehtësisht mund të ballafaqohen me procedura përkatëse gjyqësore”, ka thënë Bajraktari.
Sipas Kodit, Legjislacioni penal i Kosovës mund të zbatohet ndaj çdo personi i cili kryen veprat penale jashtë territorit të Republikës së Kosovës kur ka marrëveshje ndërkombëtare.
Për këtë, KOHA ka tentuar të shtunën të marrë informacione nga koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, por nuk ka kthyer përgjigje.
E, për veprime të njëjta, vitin e kaluar Prokuroria Themelore në Prishtinë e pati autorizuar Policinë për të nisur hetime për “Cenim të fshehtësisë së votimit”.
Pos aspektit ligjor, analistët thonë se publikimi i votës ka ndikim edhe politik.
Arbnor Sadiku vlerëson se kjo po përdoret si strategji nga partitë për të dhënë përshtypjen në rrjete sociale se kanë mbështetje të gjerë nga votuesit e diasporës.
“Mund të jetë si një strategji e partive politike për të mobilizuar masat e veta partiake, natyrisht për të treguar forcën e tyre karshi votuesve që ata i kanë në diasporë dhe natyrisht edhe mobilizimin e tyre në mënyrë sa më të madhe për zgjedhjet e 7 qershorit”, deklaroi Sadiku.
Procesi i votimit përmes postës ka nisur nga 21 maji dhe do të mbyllet më 6 qershor, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.
E më 6 qershor do të votojë pjesa tjetër e diasporës që janë regjistruar për ta ushtruar këtë të drejtë në përfaqësitë diplomatike.