Përplasjet politike fillimisht në Kuvendet komunale e më pas edhe në atë qendrore kanë lënë Komunën e Prishtinës dhe Gjilanit pa buxhet për 2025. Vonesat kanë shkaktuar bllokim të pagesave për shërbimet në kryeqytet, ndërsa akuzat për përgjegjësinë ndaj kësaj situate po shkëmbehen mes komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave.
Inatet politike të nisura fillimisht në kuvendet komunale, e të bartura edhe në nivelin qendror kanë lënë Komunën e Prishtinë dhe Gjilanit pa buxhet të miratuar për 2025.
Pa buxhet të miratuar ka mbetur edhe Zubin-Potoku.
Mosmiratimi me kohë i buxhetit dhe më pas mospërfshirja në buxhet të shtetit ka rënduar situatën sidomos në kryeqytet, ku tash e tre muaj nuk është ekzekutuar pjesa e pagesave për shërbyesit e mirëmbajtjes së objekteve në shëndetësi e arsim dhe disa ndërmarrjet lokale kanë mbetur pa paga.
Bekim Salihu nga Instituti GAP thotë se dy nivelet janë fajtore për situatën e krijuar dhe se problemi sipas tij, filloi nga niveli komunal.
“Në këtë pikë të dy palët kanë faje, por pjesën dërmuese e ka Komuna e Prishtinës, jo domosdoshmërisht kryetari, por shkaku i opozitarizmit që është shkaktuar në Kuvendin Komunal. Të hyrat vetanake nuk janë miratuar si bartje dhe nuk e ka bërë në vitin 2024 për 2025 dhe këto shkaktojnë telashe, për shkak se Ministria e Financave është institucion dhe varet nga procedurat”, ka thënë Salihu.
Vonesa pati nga të dyja nivelet.
Prishja e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet bëri që qeverisja e kryetarit Përparim Rama të mos e ketë shumicën në Kuvendin Komunal, duke dështuar katër herë radhazi që të miratojë buxhetin për 2025.
Votimi u bë në tentimin e pestë më 9 dhjetor të 2024, jashtë afatit të paraparë me Ligjin për menaxhimin e Financave publike, që është 30 shtatori.
Buxheti i shtetit në të cilën do të duhej të përfshihej edhe buxheti i Prishtinës u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 21 nëntor, përkatësisht 19 ditë para votimit të buxhetit të kryeqytetit.
“Ministria e Financave e ka marr buxhetin më 17 dhjetor ndërkaq e ka miratuar në Qeveri më 31 janar të këtij viti. Ministria e Financave nuk e ka përmbushur shpejtësinë që ia kërkon ligji. Ajo që ka ndodhur në ndërkohë është se është shpërbë Kuvendi më 11 janar. Ky kuvend ka pasur mundësi edhe 1 muaj që të miratojë ligje, por nuk e ka pa me prioritet”, ka deklaruar ai.
Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, thotë se përcjellja e buxhetit nga Komuna është bërë pas seancës së fundit të Kuvendit.
“Kemi të gjitha këto tentativa dhe afate të shkelura dhe përsëri kanë guximin dhe të akuzojnë të tjerët për bllokada dhe për mos mbështetje. Për ta demantuar komunën e Prishtinës, deri në fund të muajin tetor me ndarjen të 1/12 Komunës së Prishtinës i janë alokuar mbi 81 milionë euro”, ka thënë Murati.
Shkaku i mos pagesës nga Komuna e Prishtinës, transportuesit privatë dhe ata të “Trafikut Urban” në Prishtinë kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, pasi që kanë marrë vendim që t’i pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë.
Ata takuan ministrin në detyrë të Financave Hekuran Murati, i cili u tha se Komuna e Prishtinës duhet të miratojë bartjen e mjeteve vetanake.
E pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit komunal me përbërjen e vjetër, për miratimin e bartjeve të mjeteve vetanake dhe për buxhetin e 2026, i cili nuk është miratuar ende.
Por, sipas Eugen Cakollit nga KDI, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës e thirrur për 27 nëntor është e paligjshme.
“Institucionet pa legjitimitet të plotë dhe pa e ndjekur rendin logjik te gjërave nuk mund të marrin vendime që prodhojnë pasoja, detyrime financiare apo politike për institucionet pasardhëse. E për më keq, nuk ka asnjë sens logjik, e lëre më ligjor, që një legjislaturë që realisht e ka mbyllur mandatin e saj, të marrë vendime për një legjislaturë që e merr mandatin pas disa ditësh. Rolet dhe qëndrimet politike mund të ndryshojnë, por parimet jo”, ka shkruar Cakolli.
Me vonesë e ka miratuar buxhetin edhe Komuna e Gjilanit. Shkaku i përplasjeve mes partive politike, aprovimi i tij u bë tek më 27 shkurt 2025, por që më pas ngërçi politik ndikoi që ende nuk është aprovuar në Kuvend.
Këto dy komuna, bashkë me 9 të tjera janë vonuar edhe në miratim të buxhetit për 2026.