Autoritetet e Serbisë e kanë arrestuar Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. Por, bazuar në urdhrin hetimor, ai akuzohet se në Tuzëll të Bosnjës ka blerë armë, municion dhe lëndë plasëse të fuqisë së madhe shkatërruese. Në Prishtinë, kanë vlerësuar se arrestimi është farsë dhe ka për qëllim që Serbia të shfajësohet para ndërkombëtarëve.
Millan Radoiçiq, njeriu kryesor i organizimit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është vënë prapa grilave në Serbi.
Ministria e Punëve të Brendshme të këtij shteti bëri të ditur se ai është ndaluar për 48 orë.
“Më 3 tetor 2023, zyrtarët policorë të Drejtorisë së Kriminalistikës kanë bastisur banesën dhe lokalet e Millan Radoiçiqit, të cilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, tha MPB-ja e Serbisë.
Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, Radoiçiqi dhe rreth 30 anëtarë të grupit të armatosur janë arratisur për në Serbi.
Prania e tij në sulmin në Banjskë u faktua nga videoincizimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës e në fund të javës Radoiçiq përmes një letre pranoi se udhëhoqi grupin.
Letrën e lexoi avokati i tij, e i cili u përpoq të shkëpusë çdo lidhje të Serbisë në këtë sulm.
E, mediat në Beograd raportuan se në urdhrin hetimor në Serbi, Radoiçiqi akuzohet se ka blerë në Tuzëll të Bosnjës armë, municion dhe lëndë plasëse të fuqisë së madhe shkatërruese. Sipas tyre, ky furnizim është bërë nga janari deri në shtator.
Kosova ka prezantuar fakte që implikojnë shtetin serb në sulm, në mesin e të cilave edhe formularë të lëshuar nga Ushtria serbe për një numër armësh që i janë dhënë në përdorim grupit.
Ndërkombëtarët, ndërkaq, i kanë bërë thirrje Beogradit që anëtarët e grupit terrorist t’i vërë para drejtësisë.
E, sipas ish-drejtorit të Policisë dhe deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj, arrestimi i Radoiçiqit është tentativë e Serbisë për t’u shfajësuar para ndërkombëtarëve.
“Mendoj që arrestimi i tij është një farsë, është vetëm një përpjeke e Serbisë që të manipulojë me opinionin, pasi që nuk pres që ai të marrë një dënim nga organet e hetuesisë për shkak se si mund të dënohet një njeri i cili është mbështetur financiarisht, është mbështetur në logjistikë dhe është mbështetur nga sistemi dhe institucionet e sigurisë së Serbisë për sulmin terrorist në Kosovë”, tha Qalaj.
Por, Qalaj beson se tentativa e presidentit të Serbisë për të distancuar shtetin nga sulmi nuk do të jetë e suksesshme në sytë e ndërkombëtarëve.
“Pa dorëzimin e Radoiçiqit të organeve të sigurisë së Kosovës dhe organeve të hetuesisë, nuk ka ndonjë sinjal pozitiv për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Pra terroristët e kanë vendin në burg dhe e kanë vendin larg vendit ku ka ndodhur rasti terrorist”, tha Qalaj.
Më 24 shtator kur ndodhi sulmi në Banjskë, presidenti i Serbisë i prezantoi pjesëtarët e grupit terrorist si njerëz që duanë lirinë e bashkëkombësve të tyre.