Rivlerësimi i pronave i kryer vitin e kaluar nga Ministria e Financave ndikoi që tatimi në pronë të rritet deri në 100 për qind, varësisht nga zona.
Ky proces, që bëhet çdo 3 apo 5 vjet, nxiti reagime nga qytetarët, të cilët e kualifikuan rritjen si të papërballueshme.
“Diku 100 për qind ish rrit vlera e trollit. Unë i kam 4 ari vend, e kanë vlerësuar arin me 24-25 mijë euro, që vërtet nuk i bën as 5-6 mijë euro ari. Kjo është një barrë shumë e rëndë për të gjithë”, tha Fadil Bllacaku, banor i lagjes “Tasligje”.
“Tatimi në pronë ka dallim shumë të madh nga viti i kaluar. Po mendoj gati 100 për qind, duke i pasur parasysh shërbimet që na ofron Komuna e Prishtinës, si çdo komunë, mendoj që tatimi është shumë i madh, i papërballueshëm, pasi shërbimet janë 0”, tha Fadil Rama, banor i Hajvalisë.
“Mua më kanë ardhur për pronën time diku 120 euro më shumë. Faktikisht i bie rreth 50 për qind më shumë. Është jashtëzakonisht shumë, është përmbi mundësitë e qytetarëve të Kosovës”, tha qytetari Hysi Hasani.
Për rritjen e tatimit, komunat e mbajtën përgjegjëse Ministrinë e Financave.
“Komunat nuk kanë ngritur normën tatimore, por është bërë rivlerësimi i pronave nga departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut. Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga Komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë”, thuhet nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Por nga Ministria e Financave thanë se komunat janë pajtuar me këto vlerësime dhe se vlera për metrin katror është përcaktuar në bashkëpunim me to.
“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT-së, gjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat. Gjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka”, thuhet nnga Ministria e Financave.
Për profesorin universitar, Ujkan Bajraj, vlerësimi nga Ministria është bërë në mënyrë arbitrare.
“Një banesë që ka kushtuar 50 mijë dhe për të njëjtën banesë është faturuar 0.17 norma, sivjet vlerësimet janë bërë 100 për qind më shumë, do të thotë 100 mijë euro, në këtë rast 100 mijë euro do të thotë prodhon efekt më të lartë tatimor. Vlerësimi i pronës është shumë arbitrar dhe ky vlerësim është në kompetenca të Ministrisë së Financave, dhe komunat në këtë rast janë vetëm administratore”, thotë Bajraj.
Normat tatimore, bazuar në Ligjit për tatimin në pronë, përcaktohen nga komuna dhe fillojnë nga 0.15 për qind deri në 1 për qind. Ky ligj është në proces të ndryshimit dhe është propozuar që komunat të mos kenë kufizime në përcaktimin e normës tatimore.