Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Lajmin e bëri të ditur nga ai përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Vitia e ka cilësuar këtë si moment të rëndësishëm për shëndetësinë publike në vend.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas tij, ky zhvillim sjell shpresë për shumë gra dhe çifte që synojnë të bëhen prindër, pasi procedurat e fertilizimit të asistuar tashmë mund të realizohen edhe në QKUK.
Vitia theksoi se në kuadër të shërbimeve që ofrohen në sektorin publik, dy procedurat e para të IVF-it do të mund të kryhen pa pagesë.
“Një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK, ku dy procedurat e para ofrohen pa pagesë. Falënderojmë ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm”, ka shkruar ai.
Në institucionet private, ky shërbim kushton nga 3 deri në 4 mijë euro, ndërkaq në QKUK do të ofrohet falas për dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për një procedurë do të jetë 670 euro.
KOHA raportoi javë më parë se shërbimi i fertilizimit të asistuar mjekësor në QKU përballet me mungesë të 11 barnave të domosdoshme. Për pasojë, çiftet që duan ta nisin menjëherë trajtimin, i blejnë vetë ato. Pas dështimit të blerjes së barnave nga QKUK-ja, udhëheqja e procedurave të prokurimit pati kaluar në Ministri të Shëndetësisë, e cila ka hapur tenderin, por për katër lloje medikamentesh nuk ka pasur asnjë ofertues.