Arbëri

Virusi politik

Avdullah Hoti ishte zëvendëskryeministër më 10 mars. Ndonëse fare afër e kishte zyrën me të Albin Kurtit, që atëkohë mbante pozitën e kryeministrit, kishte vendosur që nëpërmjet rrjeteve sociale ta kërcënonte.

“Qeveria duhet të mblidhet për të hequr taksën”, kishte shkruar Hoti atë ditë, në llogarinë e vet në Facebook. “Nëse dëmtohet miqësia me SHBA-të, atëherë dëmtohet shtetësia e Kosovës, të cilën gjë nuk lejojmë të ndodhë. Prandaj, më përpara prishet Qeveria, se miqësia me SHBA-të”.

Shtetet e Bashkuara (SHBA) kërkonin heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë Serbinë, si parakusht për t’u bindur Beogradi zyrtar që të kthehej në procesin e dialogut. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që e drejtonte Qeverinë, ishte zotuar ta bënte këtë, por paralelisht heqjes së tarifës, insistonte të vendosej masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, siç e përcaktonte edhe vet programi qeveritar. Lidhja Demokratike (LDK) që ishte pajtuar për këtë në program, tani e refuzonte reciprocitetin.

Të njëjtën ditë kur Hoti e kishte bërë postimin, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kishte shkruar në llogarinë e tij në të njëjtin rrjet social, po me gjuhë kërcënuese. Disa ditë më vonë do ta publikonte në Facebook përmbajtjen e një letre adresuar Kurtit, në të cilën e kishte paralajmëruar: “... si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor”.

Palët nuk kishin hequr dorë nga pozicionet. Dy javë pas këtyre kërcënimeve, me iniciativë të LDK-së është votuar në Kuvend mocioni i mosbesimit kundër Qeverisë Kurti. Ndonëse arsye formale për këtë iniciativë ishte vendimi i Kurtit për ta shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, që kishte qëlluar nënkryetar në LDK, arsye faktike ishin parë dallimet që partnerët e koalicionit kishin për taksën, situatë kjo e shoqëruar edhe me diskurs të fortë polemizues në rrjete sociale.

Pas disa javësh Kurti u pasua në Qeveri nga Hoti i LDK-së, parti kjo që lidhi koalicion me dy prej subjekteve politike që e përbënin PAN-in, koalicion nga i cili në fushatën elektorale kishte drejtuar gishtin si përgjegjës për kapje të shtetit, krim e korrupsion në vend.

Dinamikë e re online

Ky zhvillim kishte ndodhur në ditët e para që pandemia COVID-19 kishte prekur edhe Kosovën. Në këtë kohë kur ishin vënë edhe masat kufizuese të lëvizjes me të cilat synohej mbrojtja nga përhapja e virusit vrasës SARS-CoV-2, ka marrë dinamikë edhe komunikimi politik online. Mbledhjet e Qeverisë ose janë mbajtur në distancë, ose janë xhiruar nga kamerat e ekzekutivit dhe janë transmetuar live në llogari që institucionet i kanë në rrjete sociale. Edhe Kuvendi ka ofruar linkun e transmetimit të seancave që vet i ka xhiruar, ndërsa disa mbledhje komisionesh janë mbajtur online. Në këtë kohë ka pasur edhe një numër samitesh e takimesh multilaterale, që janë organizuar nga distanca... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)