Arbëri

Veselaj: Gjykatat dhe inspektorët mjedisorë të pafuqishëm ndaj ndotësve të ajrit

Inspektorët mjedisorë dhe gjykatat janë shumë inerte dhe të pafuqishme për të marrë masa kundër ndotësve të ajrit, thotë profesori Zeqir Veselaj. Koncentrimi i aktiviteteve në monitorim e raportim të cilësisë së ajrit pa aktivitete reagimi, sipas tij, nuk jep efekte.

Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, Veselaj, i cili është ligjërues i lëndëve ambientaliste në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se vetëm zbatimi i politikave dhe legjislacionit në fuqi nga institucionet dhe marrja e përgjegjësive nga ndotësit mund të krijojë situatë që të kemi ajër më të pastër dhe të gëzojmë shëndet më të mirë.

Ndotësi më i madh i ajrit, sipas tij, është sektori energjetik me të gjitha shkarkimet nga KEK-u dhe ngrohja sezonale bazuar në derivate fosile (qymyr, dru, mazut) të shtëpive, por edhe objektivave komerciale si furrat me dru, restorantet. Ndikim, sipas tij, kanë edhe transporti me shkarkime ndotëse nga vetura, kamionët dhe mjetet e tjera të punës, ku shumica janë me djegie të naftës, me cilësi të dyshimtë.

Gjatë intervistës Veselaj ka folur edhe për politikat e ndërmarra nga ana e Qeverisë për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, duke thënë se zëvendësimi i qymyrit me dru i promovuar me aq zhurmë nuk paraqet zgjidhjen e problemit, pasi që druri është po aq ndotës sa qymyri. Deri në zgjidhjet alternative, ngrohja nga amvisëritë, sipas tij, do të jetë edhe një burim shtesë, por i fuqishëm i ndotjes së ajrit në periudhën e dimrit. Sa i përket legjislacionit mjedisor ka thënë se është mjaft i plotësuar nga aspekti rregullativ, por zbatimi i tij në praktikë po shihet se ka probleme serioze që reflektohet në situatën e rënduar të mjedisit dhe shëndetit publik.

KD: Profesor Veselaj, cilët, sipas jush, janë “kontribuuesit” më të mëdhenj në ndotjen e ajrit në Kosovë?

Veselaj: Ajri ambiental në Kosovë po edhe në botë sot përballet me një shumësi burimesh ndotjeje që shpesh paraqet edhe problem të klasifikimit në aspektin sasior dhe “cilësor” të ndikimit. Kur them cilësor, mendoj se cili sektor ekonomik, cili burim individual apo cili toksikant bën më shumë dëm. Nëse i listojmë sipas sektorëve, atëherë ndotësi kryesor i ajrit ambiental në Kosovë është sektori energjetik me të gjitha shkarkimet nga KEK-u dhe ngrohja sezonale bazuar në derivate fosile (qymyr, dru, mazut) të shtëpive, por edhe objekteve komerciale, si furrat me dru, restorantet etj. Më pas me një ndikim të fuqishëm vjen sektori i transportit me shkarkime ndotëse nga vetura, kamionë e mjete pune kryesisht të vjetra, ku shumica janë me djegie të naftës, me cilësi të dyshimtë. Sektori industrial, edhe pse jo i fuqishëm në ndihmesën ekonomike për vendin, bën presion përmes shkarkimeve ndotëse nga impiantet e vjetruara. Këtyre tre sektorëve iu kontribuojnë fuqishëm edhe djegia e mbeturinave dhe pyjeve, pluhuri nga rrugët e gurëthyesit, degradimi i gjelbërimit si “filtër” natyror. Të theksoj këtu se edhe cilësia e ajrit të brendshëm nuk është hiç më e mirë... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)