Njohësit e punës së Gjykatës Kushtetuese janë të ndarë në dysh sa i përket mundësisë së ndryshimit të udhëheqjes së ekzekutivit pas vendimit për votën e deputetit Etem Arifi.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, një ditë më parë, të mërkurën, në pah janë vënë dy skenarë: vlerësimi se vota e deputetit Etem Arifi është e vlefshme dhe se zgjedhja e Qeverisë në qershor të këtij viti është kushtetuese, si edhe vendimi se vota vendimtare e Qeverisë Hoti është jolegjitime.
Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos se vota e 61-të e Qeverisë Hoti është e pavlefshme, sipas ish-gjyqtarit Kadri Kryeziu, Albin Kurti do të duhej të kthehej kryeministër në detyrë deri në zgjedhje të reja.
“Nuk ka nevojë me u përsërit votimi, por ka nevojë me u kthye ne pikën zero dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit do ta ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjet e lira parlamentare. Nga aspekti i pragmatizmit konsiderohet se rasti duhet të kthehet në pikën zero e pika zero është momenti kur ushtrues i detyrës së kryeministrit ishte Albin Kurti”, thotë Kryeziu.
Por kështu nuk vlerësojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Yll Zekaj, hulumtues në këtë institut, thotë se një gjë e tillë nuk është e mundur dhe se qeveria në detyrë do të jetë ajo e Hotit.
“Nëse ndodh skenari i dytë, atëherë Qeveria që është sot duke udhëhequr me Kosovën kthehet në Qeveri në detyrë dhe mandati i kalohet partisë së parë në këtë rast LVV-së, e cila duhet t`i konsumojë afatet kushtetuese për formimin e qeverisë së re nëse arrin që t’i bëjë votat. Në të kundërtën, vijnë edhe skenarët e tjerë që vendi të dërgohet në zgjedhje”, thotë Zekaj, derisa shton se është vështirë të parashikohet se cili mund të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Një ditë pas seancës dëgjimore, ku para gjyqtarëve të Kushtueses palët e përfshira në çështjen e deputetit Etem Arifi kanë prezantuar argumentet e tyre, ish-gjyqtari Kadri Kryeziu e Yll Zekaj nga IKD-ja janë të mendimit që vendimi mund të bëhet i ditur gjatë këtij muaji.
E ndonëse nuk kanë treguar datën, nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet pas 7 dhjetorit.
“Pas seancës dëgjimore publike mbajtur të mërkurën, më 2 dhjetor 2020, palët e përfshira në rast kanë afat që t’i dorëzojnë argumentet e tyre të prezantuara, në të shkruar, deri të hënën, më 7 dhjetor 2020. Seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet në ditët në vijim, pas datës 7 dhjetor 2020. Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Kushtetuesja.
E vendimin e Kushtetueses, cilido qoftë ai, do ta zbatojë kryeministri Avdullah Hoti.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ju e dini qëndrimin tonë standard që e kemi pasur, se çfarëdo vendimi që del nga ajo gjykatë ne do ta pranojmë dhe do të sillemi konform atij vendimi”, ka thënë kreu i Qeverisë të enjten.
Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare në formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti. Por vlefshmëria e saj është kontestuar, pasi ai ka qenë i dënuar për mashtrim në subvencione, gjatë mandatit të tij si deputet. Deputeti Etem Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar, Arifi kishte votuar pro formimit të Qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit. Më 11 qershor të këtij viti, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paraqitur kërkesën e tyre, që vota e Arifit, në seancën e votimit të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, të shpallet e pavlefshme, e rrjedhimisht edhe Qeveria Hoti antikushtetuese.