Një situatë e pazakontë ka ndodhur të premten në komunën e vogël të Kashtelirit në rajonin e Istrias në Kroaci, pasi punëtorët e një kompanie ngritën flamurin shqiptar në një kantier ndërtimi në qendër të qytetit. Siç raporton “Jutarnji”, flamuri u ngrit me rastin e lindjes së fëmijës së njërit prej punëtorëve, por disa prej banorëve vendas pretendojnë se veprime të ngjashme përsëriten dhe i perceptojnë si provokim.
Incidenti u raportua menjëherë tek autoritetet, të cilët ndërhyn dhe e hoqën flamurin. Policia nisi procedurat e mëtejme.
Komuna e Kashtelirit në një reagim ka thënë se ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur deri tani, por se janë të detyruar të reagojnë kur bëhet fjalë se mund të ketë shkelje ligji. Komuna i referohet Nenit 26 të Ligjit për Veprat Kundër Rendit dhe Qetësisë Publike, i cili përcakton se një person mund të ndëshkohet “nëse shfaq flamurin e një shteti të huaj pa thirrje të përgjithshme nga një organizatë socio-politike ose pa miratimin e organit kompetent administrativ ose policisë”.
“Ne reaguam menjëherë sapo pamë flamurin në kantierin e ndërtimit dhe informuam policinë për gjithçka. Sipas rregulloreve tona, shfaqja e flamurit të një vendi të huaj në këtë mënyrë nuk lejohet dhe shërbimet kompetente tani po kryejnë procedurën e tyre. Kjo është hera e parë që kemi hasur një situatë të tillë në Kashtelir dhe presim që rregullat e Republikës së Kroacisë të respektohen”, ka thënë kryetari i komunës së vogël, Xhuliano Petroviq.
Po ashtu, sot festohet Dita e Pavarësisë së Shqipërisë – që gjë ka mundur të jetë motiv shtesë për punëtorët për ta vendosur flamurin.