Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka kërkuar edhe njëherë që të merret përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një postim në Facebook ka shkruar se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.
Sipas tij, ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike.
“Si kontribues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje. Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike. Prandaj: dera është e hapur!”, ka shkruar ai.
Ai ka shkruar se LDK-ja sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe demokraci funksional dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit.
“Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme. Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së. LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm”, ka shkruar ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.23 për qind të votave duke u renditur e treta pas VV-së që fitoi 51.11 për qind dhe PDK-së 20.19 për qind.