Lipjan, 3 janar - Që nga fundi i javës së kaluar 23 punëtorët e ndërmarrjes Miniera e Goleshit janë futur në grevë, si protestë ndaj vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shkëputjen e kontratave të punës. Në mesin e të larguarve janë edhe stafi i administratës dhe stafi teknik.
Grevistët kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve qendrore, porse deri tash nuk ka pas asnjë reagim nga to. Ata po e cilësojnë të kundërligjshëm vendimin e AKP-së, andaj kanë paralajmëruar vazhdimin e grevës edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Ata kanë njoftuar se gjatë javës së kaluar kanë provuar të takohen me zyrtarët e AKP-së, por një gjë e tillë nuk është realizuar.
Sejdi Hasi, inxhinier i Teknologjisë në Minierën e Goleshit, ka thënë se edhe festën e Vitit të Ri të gjithë punëtorët e kanë pritur në oborrin e kësaj ish-ndërmarrjeje shoqërore.
“Më 31 dhjetor, në orën 16:00, jemi futur në grevë shkaku i shkëputjes së kontratave në mënyrë të jashtëligjshme. Ky aset kombëtar numër tre i Kosovës nuk është dashur të largojë punëtorët nga puna. Përkundrazi është dashur të ketë edhe më shumë, deri në 400 punëtorë. Mirëpo, mospërgjegjësia dhe mospuna e njerëzve duke u nisur nga AKP-ja dhe institucionet e tjera po shihej se nuk e kanë ndërmend ta rritin nivelin e punësimeve, por përkundrazi njerëzit po i largojnë nga puna”, është ankuar Hasi. Bukurije Seferi, mirëmbajtëse e objektit, ka thënë se greva e punëtorëve do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim derisa zyrtarët e institucioneve publike të takohen me punëtorët.
“Viti 2022 kemi pritur që sjell diçka më mirë, hapen vende të punës, por jo klasën më të ulët të punëtorëve e kanë prekur dhe e kanë çuar në shtëpi. Kemi punuar edhe pa rroga dhe jemi pajtuar, kemi punuar edhe në pandemi, ka ardhur puna për 150 euro të punojmë dhe jemi pajtuar vetëm për ta mbajtur këtë vend të punës”, ka thënë Seferi, duke kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ta shqyrtojnë vendimin e tyre për largimin e 23 punëtorëve nga puna.
Në kërkesën e punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe AKP-së, midis të tjerash thuhet se të gjithë punëtorët janë profesional në drejtime të ndryshme, andaj të gjitha punët janë menaxhuar me sukses.
“I nderuari kryeministër Kurti, me respektin dhe besimin më të lart për ju dhe stafin menaxhues të ndërmarrjes “Miniera” dhe industria e magnezit “Golesh” , në Magurë, kërkojmë nga ju që brenda mundësive të na caktoni një takim pune me ju, për të biseduar për gjendjen aktuale të ndërmarrjes pas shkurtimit të vendeve të punës për 23 punëtorë dhe në bashkëpunim dhe mbështetje të juaj të gjejmë zgjidhje për rikthimin e tyre në punë”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e punëtorëve.
Agjencia Kosovare e Privatizimit prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve së KOHËS lidhur me largimin e 23 punëtorëve nga puna.