Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ura e dallavereve ia rrezikon shtetit 322 mijë euro

Së paku 322 mijë euro të buxhetit të shtetit janë vënë në rrezik pas devijimit të jashtëligjshëm të një pjese të rrugës Prishtinë-Podujevë, që dyshohet të jetë bërë për qëllim të një objekti në pronësi private, e i cili nuk posedon leje ndërtimi.

Ministria e Infrastrukturës e edhe Komuna e Podujevës, të dyja që qeverisen nga Lidhja Demokratike (LDK) në pushtet, kanë bërë përpjekje ta mbajnë fshehtë këtë abuzim, shkruan KOHA.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Traseja e anës së djathtë, në hyrje të Podujevës, do të duhej të çonte drejt e mbi urën, poshtë së cilës kalon lumi Llap. Por devijimi nga projekti imponon që ose të prishet rruga tashmë e asfaltuar, ose të rrënohet ura e të ngrihet një e re. Vetëm ura e re, sipas përllogaritjeve të bëra, do të kushtojë 322 mijë euro, pa llogaritur edhe koston e shpenzimeve për shembjen e së vjetrës.

Ndërkaq edhe kthimi në projektin bazë do të nënkuptonte kosto shtesë, meqë punë përtej asaj të kontraktuar llogaritet edhe prishja e rrugës së shtruar në pjesën e devijuar, e edhe shtrimi i asfaltit të ri, konform asaj që parashihte projekti.

Një raport i hartuar nga dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës – Hysen Merovci, udhëheqës i Divizionit të projekteve, dhe Ardian Begaj, zyrtar i lartë i projekteve për rrugë – hedh dyshime se ndryshimi i trasesë është bërë jashtëligjshëm.

“Me rastin e devijimit është e pamundur të ndërtohet vetëm një urë ashtu siç është paraparë me projektin kryesor, mirëpo duhet të ndërtohen dy ura (pra të rrëzohet ura ekzistuese), e cila me projektin kryesor është paraparë vetëm të rehabilitohet pjesërisht”, thuhet në raport. “Kostoja e përafërt e ndërtimit të një ure në njërin nga drejtimet e lëvizjes është: 322,000.00 euro, ndërsa kostoja nëse ndërtohen dy urat në dy drejtimet e lëvizjes do të ishte: 2x322,000.00 = 644,000.00 euro”.

Aty tregohet se urdhrin për devijimin e rrugës në fjalë e ka dhënë Gjynejt Mustafa, i cili në atë kohë ka qenë menaxher i kontratës për ndërtimin e kësaj rruge dhe theksohet se me këtë rast ai i ka tejkaluar kompetencat e veta.

Veç kësaj, është theksuar fakti se në po këtë pjesë që është devijuar ndodhet në ndërtim një objekt për të cilin zyrtarët e Komunës së Podujevës kanë thënë të mos jetë i pajisur me leje të ndërtimit.