Arbëri

Uji nga Badovci ende s’rekomandohet për pije

Uji i pijshem

Uji nga liqeni i Badovcit vazhdon të mos rekomandohet për pije, si pasojë e turbullirave që janë shkaktuar nga reshjet e shiut. 

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, ka thënë se uji që vjen nga liqeni i Batllavës mund të përdoret për pije. 

“Uji që vjen nga Badovci vazhdon të jetë i papijshëm, deri në njoftimin tjetër zyrtar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga kompania jonë. Furnizimi është i mirë, por uji nuk rekomandohet për pije për zonat që furnizohen nga Badovci. Nga Batllava është në rregull. Për momentin, gjendja nuk është e keqe sa i përket furnizimit, përveç turbullirës së ujit për zonat që furnizohen nga Badovci”, ka thënë Mjeku për Koha.net. 

Gjendja me ujin e pijshëm vazhdon të jetë në rregull e po ashtu me furnizimin nga zonat ku funksionon KRU “Mitrovica”. 

Këtë e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti. 

“Nuk kemi telashe me ujin e pijes. Prej datës 12, kur e kemi bërë njoftimin zyrtar, nuk kemi pasur probleme. Në të gjitha zonat e shërbimit, uji është i pijshëm”.

Instituti i Shëndetit Publik qysh më 13 janar ka lëshuar rekomandim të mos përdoret për pije uji që vjen nga Badovci. Ndërsa në një postim të ri të martën IKPSHK ka njoftuar se nuk rekomandohet për pije uji i Badovcit, po ashtu ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë në Han të Elezit nga burimi i Dimicës, po ashtu ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë në Viti, e probleme ka njoftuar edhe në Kamenicë. Gjithashtu është njoftuar për probleme me ujë të pijes në Gjakovë e Malishevë.