Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë kanë njoftuar se uji që vjen nga liqeni i Badocit nuk rekomandohet për pije as për gatim deri në një njoftim tjetër, për shkak të pranisë së lartë të mineralit mangan. Në KRU “Prishtina” thonë se gjendja nuk është alarmante. E në IKSHPK nuk dhanë sqarime për ndikimin e tij në shëndet
Një autobot që mbart afro 15 mijë litra ujë ka qenë në dispozicion për disa orë në lokacione të ndryshme përgjatë “Rrugës C” e “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” bëri vendosjen e këtij automjeti me qëllim të furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm, pas thirrjes për të mos u konsumuar përkohësisht uji që vjen nga liqeni i Badocit, për shkak të pranisë së lartë të mineralit mangan.
Por, të paktë ishin ata qytetarë që gjatë ditës përdorën autobotin si alternativë.
“Po e blej ujin në market, çka me ba. Përpara e kam pasur atë filtrin për ta filtruar, tash jo... Jo për besë, unë edhe nuk mundem me e bajtë. Me e pru atë. Veç djali po e blen ujin”, ka thënë një qytetare.
Një ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë njoftoi se pas analizave laboratorike ka evidentuar vlera të rritura të manganit në liqenin e Badocit dhe kërkoi nga konsumatorët që furnizohen nga ky burim të mos e përdorin ujin për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës.
Në KRU “Prishtina” thonë se situata nuk është alarmante pasi nuk ka një ngritje shumë të lartë të sasisë së këtij elementi kimik dhe se kanë reduktuar sasinë e ujit.
“Nuk është gjendja shqetësuese dhe alarmante. Pse po e them këtë? E them sepse po të ishte e tillë ne do ta ndërprisnim në tërësi impiantin apo funksionimin e impiantit të trajtimit të ujit në Badoc. Pasi që analizat apo mostrat merren vazhdimisht, monitorimi i cilësisë së ujit bëhet 24 orë pandërprerë, në momentin e parë ne e kemi zvogëluar sasinë e ujit nga impianti i trajtimit të ujit në Badoc. Edhe pse qytetarët kanë pirë ujë dy apo tri ditët e fundit nuk kanë për çka të brengosen, sepse në momentin e parë e kemi zvogëluar prodhimin e ujit nga Badoci”, ka deklaruar zëdhënësja e Ujësjellësit, Arjeta Mjeku.
Zëdhënësja Mjeku ka treguar arsyen se pse është rritur sasia e manganit në liqen.
“Këtu ndodhen, është miniera e Kishnicës, ka metale më të rënda. Mangani është rritë për shkak të, është një dukuri natyrore kur netët janë të ftohta dhe ditët e ngrohta, zakonisht shfaqet në liqene. Kjo nuk ndodh vetëm në vendin tonë, ndodh edhe në vende të tjera, andaj tash për tash mënyra e vetme është furnizimi me autobotë deri në stabilizim apo qetësimin e situatës rreth furnizimi me ujë të pijshëm”, ka thënë ajo.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk kanë dhënë sqarime për vlerën normale të manganit, për sasinë që është gjetur në ujë dhe ndikimin e tij në shëndetin e qytetarëve.
Sipas Departamentit të Shëndetit Publik në Connecticut të SHBA-së sasia e pranisë së manganit në ujë duhet të jetë 0.3 mg në një litër, në mënyrë që të mos shkaktohen helmime potenciale. Nëse uji i pijshëm ka vlerën mbi 0.3 miligramë për litër, rekomandohet që të mos përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit.
Nëse konsumohet në sasi më të ulëta ose më të larta sesa që rekomandohet, ky mineral mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.