Greva e përfaqësuesve të kompanive transportuese të udhëtarëve nga Podujeva për në Prishtinë ka vazhduar edhe të enjten, duke shkaktuar telashe të mëdha për udhëtarët. Në Shoqatën e Autobusëve për këtë relacion, thanë se ende nuk ka marrëveshje me Komunën e Prishtinës, pavarësisht takimeve të mbajtura gjatë këtyre ditëve
Pasojat e grevës treditore të Shoqatës së Autobusëve në linjën Podujevë-Prishtinë, si dhe ndalimi i taksive ilegale nga Komuna e Prishtinës, po i ndiejnë më së shumti udhëtarët nga Podujeva që çdo ditë e kanë destinacion kryeqytetin.
Ata ankohen për mungesën e transportit dhe vështirësitë që po u shkaktohen.
Për Selman Berishën, i cili udhëton rregullisht drejt Prishtinës për kontrolle mjekësore, kjo situatë është bërë barrë e rëndë.
“Unë prej kontrolle erdha e tash duhet me pritë me çka me shku andej”, është ankuar Berisha. “Kjo është shumë e vështirë, edhe nëse vazhdon kështu, shkaku i gjendjes shëndetësore duhet me nejtë në shtëpi se nuk ke qysh”.
Kthimin nga Prishtina në Lluzhan ai u detyrua ta bëjë me taksi ilegale, për të cilët tregon se në raste të tilla abuzojnë me çmimet.
“Mua të hënën më ka ndodhur, prej Vranijevcit në Lluzhan 1.50 euro e kam paguar biletën e në kushte normale në autobus e kam gratis. Vështirë është tepër. Unë me kombi po udhëtoj. Në Batllavë jetoj e në Lluzhan duhet me u ndalë e që kushtojnë 1 euro e gjysmë, pastaj aty me pritë në mëshirën e zotit, kush po kalon me të marrë”, ka thënë Berisha.
Për këtë kaos në komunikacion, Komuna e Prishtinës e fajëson Shoqatën e Autobusëve Podujevë-Prishtinë.
“Pasoja e grevës është mbetja pa transport, pastaj nuk është pasojë e vendimit të Komunës, por e veprimit të Shoqatës së Autobusëve të Podujevës, sepse të njëjtit e kanë shumë mirë të caktuar rrugëtimin vajtje-ardhje, madje edhe tash nga Podujeva kalojnë në Kodër të Trimave, pastaj në rrugën ‘Zagrebi’ e duhet ta përmbyllin udhëtimin në Stacionin e Autobusëve, sikurse të gjitha linjat e tjera ndërurbane, gjë të cilën nuk po e bëjnë rregullisht”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Sa i përket grevës, e cila ka vazhduar, në Komunë kanë thënë se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje, pavarësisht takimeve të mbajtura.
“Kemi zhvilluar takim dje, i cili ka zgjatë gati dy orë – dhe pika e kthimit te Xhamia e Llapit ka qenë kërkesë e tyre, e cila është e papranueshme për komunën dhe nuk lejohet një kthim i tillë aty. Pikat e tjera diskutuese kanë mbetë që t’i shqyrtojmë. Deri tash nuk është arritë ndonjë marrëveshje konkrete”, thuhet në përgjigje.
E kryetari i Shoqatës së Transportuesve Podujevë-Prishtinë, Beqir Mustafa, ka thënë se përgjigjen përfundimtare e presin të premten nga Komuna.
“Kemi komunikuar dje, e kemi pasur një takim dhe i kemi dhënë ne disa opsione, edhe ata të vetat. Ne kemi pritur që sot me na lajmëruar, por pak më herët biseduam me ta dhe na thanë që nesër në ora 16:00 na përgjigjen. Nëse gjejmë ndonjë mirëkuptim, ne do të dalim nga greva dhe do të vazhdojmë me punu”, ka thënë Mustafa.
Shoqata e ka nisur protestën që nga e marta para objektit të Komunës së Prishtinës, kundër vendimit që e ndalon kthimin e autobusëve pranë “Xhamisë së Llapit”.