Arbëri

U.d. i kryeprokurorit të shtetit u ftua për të dëshmuar për masakrën e Reçakut, reagon OVL-UÇK

Ushtruesi i detyres i Kryeprokurorit te shtetit, Besim Kelmendi ne nje lidhje direkte ne emisionin Tempus te KTV-se

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur shqetësimin pasi ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me masakrën e Reçakut. 

OVL-UÇK ka thënë se Kelmendi në kohën kur ndodhi masakra, më 15 janar të vitit 1999, ishte asistent i gjyqtares Danica Marinkoviq. 

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin më të thellë pas konfirmimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, njërën nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës. Me këtë ftesë u vërtetua se z. Kelmendi, në kohën e masakrës, ka qenë asistent i gjyqtares famëkeqe Danica Marinkovic, e cila ‘hetonte’ ngjarjen nga perspektiva e regjimit serb, duke tentuar ta relativizonte atë, siç duket, duke e pasur në krah z. Kelmendin. Është e tmerrshme që Kryeprokurori i Kosovës, sipas dëshmive, më 16 qershor ka qenë në Reçak në anën e palës serbe, në kohë kur aty kryheshin krime ndaj civilëve shqiptarë. Kjo situatë është jashtëzakonisht serioze”, thuhet në reagim të OVL-UÇK. 

OVL-UÇK ka kërkuar që Kelmendi të shkarkohet nga detyra dhe të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë. 

“OVL UÇK vlerëson se organet përgjegjëse duhet ta shkarkojnë menjëherë nga detyra dhe ta përjashtojnë nga sistemi i drejtësisë, sidomos pas kësaj ftese të Prokurorisë Speciale. Pavarësisht se z. Kelmendi është ftuar si dëshmitar, perspektiva e tij dëshmuese buron nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe çfarëdo që të deklarojë sot, Kosova nuk mund të ketë  Kryeprokuror që ka punuar për Danicën në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut, edhe pas jehonës që i dha Ambasadori Walker. Kjo ftesë e Prokurorisë Speciale është dëshmia kryesore mbi të cilën Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta përjashtojë menjëherë nga sistemi bashkëpunëtorin e Danicës.  Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, z. Kelmendi e ka shansin që para gjykatës të dëshmojë drejt për këtë masakër dhe sadopak të lehtësojë turpin që e mbulon si shërbyes i një regjimi që masakroi popullin e Kosovës”, thuhet në reagim. 

E zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, ka konfirmuar për KOHËN se Kelmendi është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. 

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale mund t’ju konfirmojë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi, është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të procesit hetimor lidhur me rastin për të cilin keni parashtruar pyetje. Prokuroria Speciale shpreh vlerësimin për gatishmërinë dhe kontributin që z. Kelmendi ka dhënë lidhur me zbardhjen e një çështjeje penale, që Prokuroria Speciale e ka në trajtim”, tha Luta. 

“Ekonomia Online” ka raportuar se Kelmendi ka nisur sot intervistimin.

Kelmendi ka ftuar konferencë të jashtëzakonshme për media nga ora 16:00 sot. 

Në Reçak u vranë nga forcat serbe 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Një ditë pas kryerjes së masakrës, ambasadori i atëhershëm i OSBE-së në Kosovë, William Walker e vizitoi vendin e ngjarjes dhe deklaroi: “Nga çfarë pash nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Kjo masakër sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe hapi rrugën e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.