Arbëri

Trump përsërit se e ndali luftën mes vendeve në të cilat nuk caktoi ambasadorë

Kosova vazhdon të përmendet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në kontekst të konflikteve të ndryshme nëpër botë, ani se Washingtoni zyrtar ende nuk e ka caktuar një ambasador të ri në Prishtinë. Njohës të rrethanave kanë thënë se ky mund të jetë një akt i heshtur mosbesimi apo “pushim strategjik” që SHBA-ja ia ka dhënë Prishtinës zyrtare për të korrigjuar kurs dhe për ta rifituar vëmendjen që e ka pasur të pakushtëzuar. Krahas Kosovës, emërime të ambasadorëve SHBA-ja nuk ka bërë as në Serbi, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Donald Trump, i ka përmendur dy herë Kosovën dhe Serbinë në margjinat e Samitit dyditor të NATO-s në Hagë, teksa ka folur në një konferencë shtypi mbi rolin e tij në ndaljen e konflikteve në pjesë të ndryshme të globit.

“Ndalëm Serbinë që ishte gati të vepronte... Putini më telefonoi dhe më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin’? I thashë jo, mund të më ndihmosh me Rusinë. Sepse në javët e fundit e zgjidhëm çështjen e Indisë dhe Pakistanit, Kosovës e Serbisë. Mendoj se të premten do të vijnë Kongo dhe Ruanda, një luftë e tmerrshme, ku priteshin kokat gjithandej në Afrikë”, ka deklaruar Trump në konferencën për media pas samitit.

Kur ka nisur konflikti mes Iranit dhe Izraelit, Trumpi e pati përmendur edhe “konfliktin” Kosovë-Serbi, duke e cilësuar si sukses të tij ndaljen e shpërthimit të luftës. Ai e pati akuzuar paraardhësin e tij, Joe Biden, se e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë të marrëveshjes së Washingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në mandatin e tij të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor roli i Shteteve të Bashkuara është vlerësuar thelbësor. Megjithëkëtë, Washingtoni zyrtar ende nuk ka emëruar ambasadorë të rinj amerikanë në Kosovë, në Serbi, në Shqipëri dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Mandati i ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përfunduar në dhjetorin e vitit të kaluar. Aktualisht Anu Prattipati është e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Administrata amerikane nuk i ka emëruar, po ashtu, as emisarët për Ballkanin Perëndimor në Departamentin e Shtetit (DASH).

Sociologu Fadil Maloku, ka thënë se shkaqet për vonesë në emërimin e ambasadorit të ri amerikan në Kosovë mund të jenë të ndryshme.

“Mund të supozohet se kemi të bëjmë me një ‘aksident diplomatik’, një ‘akt të heshtur mosbesimi’, një ‘timeout strategjik’ që Washingtoni ia ka dhënë Prishtinës për të reflektuar, për ta korrigjuar kursin dhe për ta rifituar vëmendjen që dikur ishte e pakushtëzuar. Apo ndoshta kemi të bëjmë me një ‘infantilitet diplomatik’ të diplomacisë së re kosovare, i cili shihet si pengesë në raportet e partneritetit të thellë transatlantik. Ose thjesht me një sinjal diplomatik për një ftohje të heshtur strategjike”, ka theksuar Maloku.

Sipas tij, mungesa e ambasadorit amerikan në Kosovë mund të lexohet edhe nëpërmes një logjike “kissingjeriane”, e cila pohon se “Amerika nuk ka miq apo armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme”.

“Dhe interesat aktualisht janë të përqendruara në zona të tjera gjeopolitike shumë më kritike: Ukraina, Rusia, Gaza, Izraeli dhe, sidomos së fundi, Irani – qoftë në Lindjen e Mesme apo në Indo-Paqësor. Kjo e bën më të kuptueshme mungesën e një vëmendjeje të drejtpërdrejtë ndaj Prishtinës”, ka thënë ai.

Përmendja e shpeshtuar e Kosovës nga presidenti Trump, sipas Malokut, mund të interpretohet edhe si një performancë e zgjeruar politike, të cilën ai e përdor jo pa qëllim, sidomos kur është në pyetje protagonizmi i tij i theksuar që nga ardhja në pushtet.

“Por, njëherazi, ajo mund të shihet edhe si satisfaksion strategjik i interesave që Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht në këtë pjesë të botës. Të dyja këto projeksione, në gjykimin tim, nuk duhen parë vetëm me sy kritik, por natyrisht as me skepticizëm, e aq më pak me pesimizëm. Them kështu për disa arsye: Së pari, në diplomacinë tradicionale, por edhe në këtë të sotmen, që është shumë dinamike e ofensive, fuqitë e mëdha globale priren të flasin për vendet e vogla, jo për shkak të ndonjë peshe reale strategjike që këto vende mund të kenë, por për shkak të vlerës së tyre si “certifikata legjitimuese” në situata kërcënuese që shërbejnë si mesazhe të koduara diplomatike për interesa më të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike”, ka theksuar Maloku. “Së dyti, përmendja që ia bëri Donald Trump Kosovës, si një nga shembujt e ‘marrëveshjeve të suksesshme” të tij, meriton një vëmendje më të thelluar, pra, përtej entuziazmit sipërfaqësor që vërehet te politikanët, mediat konformiste dhe rrjetet sociale”.

Presidenti amerikan së fundi e ka nënshkruar edhe një urdhër ekzekutiv, i cili lidhet me Ballkanin Perëndimor. Me këtë vendim ai e ka vazhduar përtej 26 qershorit 2025 gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare për Ballkanin Perëndimor, e vendosur që në vitin 2001. Në njoftimin e publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, thuhet se situata në Ballkan vazhdon të paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe për politikën e jashtme të SHBA-së.

Aty përmendet edhe vendimi i janarit të këtij viti, i nënshkruar nga ish-Presidenti Joe Biden, lidhur me individët që paraqesin kërcënim për rajonin.

Sanksione do të ketë për këdo që Thesari Amerikan i Shtetit konsideron se si lider, udhëheqës apo anëtar i Qeverisë merr pjesë në ndonjë prej aktiviteteve të përfshira në rregulloren e mëhershme.